Vrasja e Elenit, flet ortaku: Ilia
mallkoi ditën që erdhi në Tiranës

Vrasja e Elenit, flet ortaku: Ilia<br />mallkoi ditën që erdhi në Tiranës
Ilia Basho, bashkëshorti i Eleni Bashos, e vrarë tri ditë më parë, kishte vendosur të linte biznesin që kishte me ortakun e tij Ilirian Bituni në nëntor të 2011 dhe të merrte 100 mijë eurot që i takonin. Kështu thotë ish-ortaku i tyre Bituni në intervistën me “Shqiptarja.com”.

Z.Bituni, Eleni Basho figuron të ketë qenë ortakja juaj në biznes, a është e vërtetë kjo?

Me letra po, por në të vërtetë ortaku im në biznes ishte bashkëshorti i saj Ilia Basho. Unë e kam hapur këtë biznes që në vitin 1999, ndërsa me Ilian jemi njohur dhe kemi nisur bashkëpunimin më 2001-in. Ilia merrej me anën logjistike, tatimet, taksat, etj. Gjithçka ka ecur mirë dhe nuk kemi pasur kurrë probleme.

Përse vendosi ai të largohej nga ky biznes?

Kishte kohë që ankohej se jam i lodhur dhe dua të pushoj. Ai vetë kërkoi që të dilte nga biznesi dhe për këtë nënshkruam edhe kontratën përkatëse të firmosur nga të dy, Eleni dhe Ilia Basho. Thirra ekonomistin që të bënte veprimet e duhura dhe ramë dakord që i takonin 100 mijë euro, nga të cilat 50 mijë i ka marrë dhe 50 mijë të tjera do të likuidohen në mars. Madje një ditë para se të ndodhte ngjarja, i kam dhënë 10 mijë euro.

Pas daljes nga biznesi a kishit marrëdhënie sërish me ta?

Po, sigurisht. Madje edhe ditën që ka ndodhur ngjarja, rreth orës 16:30, Ilia ishte këtu tek ne për të blerë disa materiale për
furnizim.

Me çfarë po merreshin ata aktualisht?

Eleni kishte hapur një laborator dentar, në të cilin kishte punësuar një mjeke dhe nja dy laborantë. Por nuk po u ecte. Gjëra të vogla mezi arrinin të bënin. Donte të nxirrte një rrogë, të paktën 30 mijë lekë të reja në muaj. Ajo nuk ishte e shkolluar. Nuk ishte as dentiste, as laborante e as farmaciste. Para një viti kishte ngelur pa punë, pasi agjencia e udhëtimeve ku ajo punonte ishte mbyllur dhe duke qenë se e njihte pak a shumë tregun e dentistëve, vendosi të hapte një laborator dentar të sajin.

Përflitet se nëpërmjet “Nova dental Albania” Eleni Basho, importonte sasi të mëdha lidokaine, një lloj anestezie që më pas e përdorte si përzierës për kokainën. A është e vërtetë kjo?

Kjo nuk është aspak e vërtetë. Unë jam pronari i “Nova Dental Albania” dhe po ju them se që nga viti 2008 ne nuk importojmë këtë lloj anestezisti, pra lidokainën. Kjo pasi gjermanët, nga e merrnim më parë, vendosën rregulla të forta. Aktualisht për të marrë të drejtën për të importuar lidokainën duhet të aplikosh për licencë pranë Qendrës Kombëtare të Kontrollit të Barnave, dhe kjo licencë mund t’u jepet vetëm distributorëve të barnave që paguajnë 10 për qind si TVSH, dhe jo neve të pajisjeve mjekësore që paguajmë edhe 20 % si TVSH. Unë kam të gjitha faturat, blerjet që kanë bërë Ilia dhe Eleni Basho këtu tek ne. Të gjitha janë në sasi shumë të vogla, dhe janë shiringa, allçi, zbardhues dhëmbësh. Midis tyre ka edhe anestezikë në sasi shumë të vogla, por janë anestezikë me flakone, në gjendje të lëngshme, të cilat ne i kemi këtu. Ne nuk importojmë lidokainë. Pastaj ne i takonim shpesh edhe Elenin edhe Ilian, nëse do të ishin marrë me gjëra të tilla do ta kishim kuptuar.

Pra ju mendoni se ata të dy nuk mund të jenë marrë me gjëra të tilla?

Sigurisht që jo. Vetëm ta shikonit laboratorin e saj. Kishin vetëm ca pajisje më të domosdoshme në laborator, madje edhe ai ishte i palicencuar. Po mendonin që pasi të fillonin të kishin punë ta regjistronin. Pastaj nëse do të blinin kaq shumë gjëra tek ne do të vinin t’i blinin. Unë po ju them që kam faturat e blerjeve të tyre dhe janë shumë minimale.

Ju si e morët vesh për vdekjen e Elenit?

Në fakt unë isha në punë atë natë, dhe këta të lokalit ngjitur e kishin parë në TV. Më thirrën mua dhe unë mbeta i habitur. I rashë telefonit të Ilias, por ai nuk ma hapi. Më pas morëm një dentiste, që e ka shtëpinë afër shtëpisë së Elenit në Shkozë dhe ajo na tha se është e vërtetë. Ngelëm të shtangur, nuk dimë ç’të themi.

Po në polici ju kanë thirrur?

Po, sigurisht. Më morën që atë natë. Kam ndenjur atje nga ora 23:00 e darkës deri nga ora tre e mëngjesit dhe që atëherë nuk më kanë thirrur më. U thashë gjithë çfarë dija. Atje madje takova edhe Ilian, ndenja nja 20 minuta me të. Ishte transformuar. Më tha: “Qoftë mallkuar dita që vendosa të vij në Tiranë”.

Duke qëne se se ju ka vite që i njihni, a kishin probleme familjare Eleni dhe Ilia?

Po ne njihemi prej vitesh dhe shkonim në çdo sebep që kishin. Por marrëdhëniet tona ishin të kufizuar vetëm në këtë kontekst dhe nuk kemi vënë re ndonjë gjë të pazakontë. Ajo që dua të theksoj është fakti se Eleni ishte një maniake e familjes. Shkrihej për ta.

A ishit ju në ceremoninë e varrimit?

Po sigurisht që po, dje isha në Gjirokastër në ceremoninë e varrimit dhe në shenjë respekti për të nuk e hapëm as dyqanin dje.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Masakra në Britani/ 2 fëmijë viktima nga sulmi me thikë, 9 të plagosur! Policia prangos autorin, nuk ka ende një motiv të qartë

Masakra në Britani/ 2 fëmijë viktima nga sulmi me thikë, 9 të plagosur! Policia prangos autorin, nuk ka ende një motiv të qartë