Vrasja e Elenit, policia pranga
të shoqit: Pagoi vrasës |

Vrasja e Elenit, policia pranga <br />të shoqit: Pagoi vrasës |
TIRANE-  Plot 20 ditë nga vrasja e laborantes dentare, Eleni Basho policia e Tiranës deklaron se ka arritur ta zbardhë, dhe të vërë në pranga si organizator të vrasjes, Ilia Basho, bashkëshortin e viktimës.Vrasja e Eleni Bashos më 2 shkurt, tronditi mbarë opinionin, pasi vetëm pak orë më pas, një tjetër femër, Megi Jakiçi mbeti e vrarë aksidentalisht në një atentat te Komuna e Parisit.

Vetë drejtori i policisë së Tiranës ka dalë sot në një konferencë për shtyp, (e para që nga emërtimi në këtë post) për të dhënë detajet e arrestimit.
“Ndalimi i Ilia Bashos është bërë me një urdhër ndalimi të prokurorisë së Tiranës të datës 21 shkurt. Pas grumbullimit të provave që vërtetojnë se ai është organizator i vrasjes me paramendim”- deklaroi Bernand Caushaj.Ndaj Ilia Bashos është marrë masa e menjëhershme e ndalimit dhe mbi të rëndon akuza për “Vrasje me paramendim”

Ora 08: 34 ARRESTOHET ILIA BASHO, SHTYTESI I VRASJES

Gazetari i gazetës Shqiptarja.com Elton Qyno informon se arrestimi i tij është bërë në orët e vona të mbrëmjes së djeshme ( e martë), pasi prokuroria kishte firmosur një urdhër ndalim për bashkëshortin e 36 vjeçares.

Burime nga prokuroria bëjnë të ditur se Ilia Basho dyshohet se ka nxitur një tjetër person për të kryer ekzekutimin e gruas së tij mbrëmjen e 2 shkurtit.
Nga organi i akuzës bëhet e ditur se ka prova dhe dëshmi të cilat mund të provojnë se Ilir Basho ka gisht në vrasjen e bashkëshortes.
Shkaqet e vrasjes dyshohen se kanë qenë konfliktet brenda familjes, ndërkohë që pak kohë më parë Eleni kishte zbuluar lidhjen jashtëmartesore të bashkëshortit të saj.

DEKLARATA E SOTME E POLICISE
Strukturat e Hetimit të Krimeve të Rënda, në sajë të një pune intensive hetimore, bënë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e vrasjes së shtetases Eleni Bashos, 33 vjeç, ngjarje kjo e ndodhur më datë 2 Shkurt 2012 në Shkozë Tiranë.
Gjatë ecurisë së hetimit, Grupi Hetimor i përbërë nga Specialistë të Drejtorisë së Krimeve të Rënda, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Specialiste nga Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Qarkut Tiranë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, bënë të mundur ndalimin e autorit, (bashkëshortit të viktimës) shtetasit Ilia Thanas BASHO, 38 vjeç, me banim në Tiranë.
Ndalimi i këtij shtetasi u bë bazuar në Urdhërin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë të datës 21 Shkurt 2012, pas grumbullimit të provave dhe fakteve, të cilat vërtetojnë implikimin e këtij shtetasi, si organizator i vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim ndaj Eleni Bashos.
Ndaj autorit të dyshuar të vrasjes, u mor masa e menjëhershme e ndalimit për konsumim të veprës penale të “Vrasjes me paramendim ” të prashikuar nga nenet 78/1, 25 dhe 278/2 të Kodit Penal, ndërsa materialet hetimore të përpiluara në ngarkim të tij do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.


VRASJA E 2 SHKURTIT
Eleni Basho, nëna e dy fëmijëve 11 dhe 13 vjeç, banonte në zonën e Shkozës në kryeqytet së bashku me burrin e saj Ilia, ky i fundit biznesmen në tregtimin e medikamenteve dentarë. Me 2 shkurt, gruaja me origjinë nga Gjirokastra u ekzekutua me 3 plumba në gjoks rreth 100 metra pa arritur në derën e shtëpisë së saj në një rrugicë të errët të kësaj zone. Edhe prindërit e Eleni Bashos kishin hedhur dyshime mbi dhëndrin e tyre. Pas krimit autori ishte larguar duke përfituar nga errësira.
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane

Presidenti Steinmeier i kërkon falje Polonisë për krimet gjermane