TIRANE - Enkelejda Konomi, bashkëshortja e gjyq tarit të Vlorës të vrarë me 500 gramë tritol që i ishte vendosur në makinën e tij, ditën e djeshme ka hapur dyert e shtëpisë, duke pritur ngushëllime nga miqtë e familjes dhe njerëzit e afërm të gjyqtarit Skerdilajd Konomi. E veshur me të zeza siç e do zakoni, nëna e dy fëmiëjve dje merrte ngushëllimet për hubjen e njeriut të dashur të saj, babait të dy fëmijëve të vegjël. E kontaktuar në telefon nga gazeta "Shqiptarja.com" Enkelejda Konomi ka pohuar se në këto çaste të dhimbshme ndihej e rrethuar në banesën e saj nga njërëz të afërm të familjes, por edhe nga miq dhe shokë të Skerdilajdit. Ajo nuk është në gjendje të flasë rreth dhimbjes që e ka torturuar për gjatë një viti, kur ende pas gjithë kësaj kohe nuk ka mësuar nga asnjë institucion hetimor se kush është njeriu që organizoi dhe vrau bashkëshortin e saj në qëndër të Vlorës. "Nuk jam në gjëndje të flas për një dhimbje kaq shumë të madhe. E kam të pamundur të gjej fjalë të flas për dhimbjen. Përgjatë një viti ende nuk ka ardhur njeri të më thotë se çfarë është bërë me hetimet, ska asnjë të arrestuar për vrasjen e burrit"-shprehet Enkelejda Konomi. Më tej kjo e fundit tregon se shtëpinë e ka të mbushur me njerëz, të cilët kishin shkuar për ngushëllime, ndërkohë ditën e sotshme familja do kryejë dhe një ceremoni përkujtimore me rastin e 1-vjetorit të vrasjes mafioze të gjyqtarit Skerdilajd Konomi.

LETRA PRESIDENTIT
Bashkëshortja e gjyqtarit Konomi, tregon se disa kohë më parrë ka kërkuar që të njihet me zhvillimet e hetimeve dhe të mësojë shkaqet dhe autorët që ekzekutuan burrin e saj. Por që në fakt, interesit të saj nuk i janë përgjigjur pozitivisht strukturat e hetimit, të cilat sipas saj deri më sot, nuk kanë bërë asnjë gjë për të identifikuar vrasësit. Enkelejda Konomi, i ka shkruar dhe ish-presidentit të republikës Bamir Topi, duke i kërkuar ndihmë, por që edhe prej tij nuk ka marrë një përgjigje konkrete, rreth asaj që po bëhet me hetimet e vrasjes së ndodhur në 9 shtator të vitit 2011 në bulevardin qëndror të Vlorës. Ajo tregon se pas një viti nga kjo ngjarje, dhimbja bëhet akoma dhe më e madhe pasi jo vetëm që i mungon njeriu i afërm, por edhe për arsye se hetimet kanë mbetur në vendnumëro dhe asnjë gjë nuk dihet se çfarë po ndodh me dosjen.

GJYQTARËT NË CEREMONI
Pritet që ditën e sotme, dhjetëra gjyqtarë të Gjykatës së Vlorës, por dhe jo vetëm, të shkojnë në banesën e të ndjerit Konomi për të ngushëlluar të afërmit. Ende nuk dihet nëse nga ana e gjyqësorit të kryhet një ceremoni zyrtare, pasi deri në orët e vona të mbrëmjes së djeshme nuk ishte vendosur zyrtarisht për një gjë të tillë. Ndërkohë që disa prej gjyqtarëve nuk kanë hezituar të ngushëllojnë familjarët e të ndjerit edhe nëpërmjet medias. Kryetari i Gjykatës së Krimeve të Rënda, Sandër Simoni, i shpreh ngushëllime familjarëve të Skerdilajd Konomit, ndërkohë që nuk pranon të japë një opinion rreth mekanizmit të vrasjes apo hetimeve, pasi sipas tij, gjykata që ai drejton ka nxjerë një sërë shkresash dhe vendimesh në shërbim të hetimit të dosjes Konomi. Për shkak të konfliktit të interesit, Simoni nuk pranon të japë asnjë koment mediatik rreth kësaj çështje. Ndërsa gjyqtari Luan Hasneziri, teksa ngushëllon familjarët, shprehet se institucionet e hetimit duhet të zbardhin ngjarjen, jo vetëm se në këtë rast është vrarë një gjyqtar, por kjo në këtë rast do të ishte një përgjigje shumë e mirë ndaj krimit. Të gjithë gjyqtarët shprehen të solidarizuar me dhimbjen e famijarëve të Skerdilajd Konomit dhe presin sa më shpejt gjetjen e autorëve të këtij krimi. Pritet që një numër i madh i togave të zezë por edhe prokurorë, avokatë, ditën e sotme të jenë në Vlorë, ku do të marrin pjesë në ceremoninë e përkujtimit të Skerdilajd Konomit.

(Shkrimi u botua në numrin e sotëm të së përditshmes SHQIPTARJA.com)

(Gre.M/Shqiptarja.com)