TIRANE - Dy persona kanë mbetur të vrarë me armë zjarri në zonën e Selitës në Tiranë. Sipas hetimeve të para të policisë dyshohet se viktimat, të identifikuar si Adnan Luli dhe Ervin Shaba kishin hyrë për të vjedhur në banesën e biznesmenit Flamur Ymeri në zonën e Selitës. Mirëpo, dy të rinjtë, të cilët ishin të moshës 27 dhe 22 vjeç, kanë tentuar që grabitjen ta realizonin orëve të mëngjesit duke menduar se nuk gjendej askush në shtëpi.

Dy të rinjtë, të maskuar dhe të armatosur, kanë gjuajtur pikërisht orarin kur kanë menduar se burrë e grua nuk do të ishin në shtëpi, pasi do të çonin fëmijët në shkollë, ose 46-vjeçari Ymeri duhej të dilte për punët e veta. Por kanë gabuar. Entela, gruaja e Flamurit, pasi ka larë shtëpinë dhe ka bërë punët e mëngjesit, ka përcjellë dy vajzat për në shkollë me furgonin e shkollës.

Mirëpo në momentin që është kthyer për të hyrë në shtëpi, ka parë gjurmë. Ajo i ka telefonuar të shoqit, i cili gjendej në dhomën e gjumit të tyre në katin e dytë duke i thënë se duhet të ketë hyrë kush brenda se ka gjurmë nëpër shkallë. Grabitësit, kanë menduar se Flamuri nuk ishte në shtëpi dhe kanë mbajtur me armë në kokë gruan në katin e parë. Njëri është ngjitur në katin e dytë për të grabitur, ndërsa tjetri ka mbajtur gruan në katin e parë.

Vrasja  
Flamur Ymeri, ka dalë nga dhoma e gjumit, ka marrë një armë gjahu të cilën e mbante me leje dhe ka qëlluar të parin që gjendej në një dhomë të katit të dytë duke kërkuar për para. E ka lënë të vdekur dhe ka zbritur shkallët. Ka parë që gruaja e tij ishte e mbajtur peng nga grabitësi tjetër. Në atë moment, bashkëshortja e tij, ka mundur t’i rrëshqasë nga duart të armatosurit dhe të largohet.

Atëherë Ymeri ka qëlluar edhe tjetrin duke e lënë të vdekur në vend. Burrë e grua kanë lajmëruar policinë duke iu bërë me dije se në shtëpinë e tyre kishin vrarë dy grabitës të cilët ishin të armatosur. Policia ka shkuar në vendin e ngjarjes dhe ka nisur menjëherë hetimet për të bërë të mundur zbardhjen e rrethanave të ngjarjes së rëndë.

Dy trupat e pajetë janë dërguar për në morg dhe pas më pak se një ore janë mësuar identitetet e tyre, ku që të dy djemtë ishin banues të së njëjtës zonës. Policia dhe prokuroria kanë hedhur dyshime se dy grabitësit e vrarë, kishin kryer edhe grabitje të tjera në zonën e Selitës, grabitje që janë kryer të gjitha në oraret e drekës ose të mëngjesit kur siguroheshin se nuk kishte persona në shtëpi.
 
Rrëfimet, Banorët e Selitës mbrojnë publikisht Ymerin 
Banorët e Selitës, fqinjë me Flamur Ymerin, në banesën e të cilit u gjetën dy të vrarë me armë zjarri shprehen se ngjarje me motiv grabitjen janë të zakonshme në zonën e tyre. Kureshtja pas episodit në banesën e Ymerit, ka bërë që banorë të shumtë të dalin në rrugë. Nuk hezitojnë të komentojnë. “Kanë ndodhur vazhdimisht vjedhje në zonën tonë. Fakti se janë shtëpia të ulëta, vila me kate dhe jo të ruajtura mirë, grabitësit hyjnë lehtë. Flamurit i qëlloi rasti që i kapi në shtëpi dhe i pa duke vjedhur. Thonë, siç dëgjuam nga policët këtu, që grabitësit  i ka vënë armën në kokë Flamurit dhe ai me armën e tyre i ka vrarë. Është përleshur”, shprehet një banore.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 18 Dhjetor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)