Ish-ministrja britanike Ann Widdecombe u godit 21 herë në kokë me një çekiç nga një burrë ndërsa ajo po hante drekë në shtëpinë e saj në fillim të këtij muaji, kanë thënë prokurorët para një gjykate në Londër.

78-vjeçarja, një figurë e njohur e partisë populiste Reform UK të Nigel Farage, u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në jugperëndimin rural të Anglisë më 9 korrik, pasi ishte sulmuar një ditë më parë.

Vrasja tronditi politikën britanike dhe ngriti shqetësime të reja për sigurinë e politikanëve, pasi që nga viti 2016 janë vrarë dy deputetë britanikë në detyrë.

Joshua Kerry, një britanik nga Rotherham, në veri të Anglisë, më shumë se 402 km larg shtëpisë së Widdecombe, u paraqit të martën në gjykatë i akuzuar për vrasjen e saj. 28-vjeçari i cili u vendos në bankën e të akuzuarve në Gjykatën e Magjistratëve të Ëestminster-it në Londër, i veshur me një kostum sportiv gri, nuk u pyet nëse pranon apo mohon akuzën. Në një seancë të mëvonshme në gjykatën Old Bailey, Kerry u la në paraburgim deri në paraqitjen e tij të radhës në muajin tetor.

Policia ka thënë se beson se Widdecombe ishte shënjestër e sulmit, megjithëse motivi ende po hetohet. Prokurorët thanë se po vazhdon gjithashtu një hetim për vepra të mundshme terroriste.

Vrasja u regjistrua nga kamera në shtëpi

Prokurori Kashif Malik tha më herët se një kamerë brenda shtëpisë së Widdecombe kishte regjistruar sulmin.

Widdecombe do të intervistohej më 8 korrik nga shtëpia e saj, por nuk u përgjigj, shpjegoi Malik. Të nesërmen, asistenti i saj personal i kërkoi kopshtarit të kontrollonte gjendjen e Widdecombe-s, dhe ai e gjeti atë të shtrirë në dyshemenë e kuzhinës.

Malik i tha gjykatës se pamjet tregonin Kerry-n duke hyrë në shtëpinë e Widdecombe-s ndërsa ajo po hante drekë, duke e pyetur:

"Mos ndoshta keni karta banke dhe dokument identifikimi?"

Sipas Malik, Kerry, i cili mbante doreza të zeza dhe kishte një çekiç në dorë të mbajtur anash trupit në mënyrë që Widdecombe të mos e shihte, më pas e goditi atë 21 herë.

Ai shtoi se Kerry e kishte rrëzuar Widdecombe-n nga karrigia në dysheme, përpara se t'i merrte portofolin dhe të largohej, pasi kishte qëndruar në banesë për rreth dy minuta.

Widdecombe njihej për qëndrimet e saj shoqërisht konservatore, fillimisht si ministre e re në qeverinë e kryeministrit konservator John Major gjatë viteve 1992-1997, dhe më vonë si zëdhënëse për çështjet e emigracionit dhe drejtësisë në Reform UK.

Pasi u tërhoq nga Parlamenti në vitin 2010, ajo mori pjesë në disa programe televizive argëtuese, përfshirë "Strictly Come Dancing."

-------------------------------
Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë.