Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar më herët gjatë ditës së sotme (9 dhjetor) për vrasjen e 25-vjeçarit Klodjan Rashës nga një efektiv policie.

Gjatë një takimi që ka zhvilluar në Vlorë, Basha ka bërë përgjegjës kryeministrin Rama dhe ministrin Sandër Lleshaj për vrasjen e të riut.

Ai thotë se 8 dhjetori duhet të ishte dita e rinisë dhe se duhet ta nderonin por që Shqipëria u godit nga një ngjarje e rëndë.

"Një brutalitet dhe përgjegjësit nuk janë thjesht ata që shkelën këmbëzën e armës mbi një të ri të pafajshëm, 20 metra nga dera e shtëpisë, por ata që kanë injektuar brutalitetin dhe ashpërsinë në çdo hallkë të qeverisjes" - thotë ndër të tjera Basha.

Kryedemokrati thotë se nëse ministri Lleshaj do të kishte dinjitet, do të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë.

"Dje ishte dita e rinisë, edhe në kushte të vështirë është një ditë të cilën ne duhet ta nderojmë edhe ta kujtojmë me një gëzim në shpirt se në fund të fundit se na kujton që ishte rinia ishte ajo që edhe në ditët më të errëta të kombit tonë, solli ndryshimin solli shpresën, solli dritën por edhe e djeshmja u godit rëndë nga një ngjarje e tmerrshme, nga vrasja e Klodian Rashës, 25 vjeçar. Një brutalitet dhe përgjegjësit nuk janë thjesht ata që shkelën këmbëzën e armës mbi një të ri të pafajshëm, 20 metra nga dera e shtëpisë, por ata që kanë injektuar brutalitetin dhe ashpërsinë në çdo hallkë të qeverisjes. Kryeqeveritari, vartësi i tij që po të kishte pasur një fije dinjitet do të kishte dhënë dorëheqjen, apo po të kishte pasur një fije dhembshuri kryeministri, duhet ta kishte shkarkuar atë edhe drejtorin e përgjithshëm të policisë por nuk ka mundësi ta bëjë këtë, sepse frymëzuesi i këtij brutaliteti, kësaj arrogance, kësaj shpërfilljeje për dinjitetin, për jetën njerëzore, për jetën e të rinjve është vetë ai. E keqja ka shkuar në palcë ndaj duhet shkulur me rrënjë" - tha Basha