TIRANE - Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi masën e sigurisë të burgimit në mungesë, për 44-vjeçarin Arben Frroku, të dyshuarin kryesor për vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj.

Vendimi është dhënë mbrëmjen e së martës nga gjykatësja, Etleva Deda, e cila ka pranuar procedimin e nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, ndaj 44-vjeçarit Arben Frroku për akuzën e vrasjes për shkak të cilësive të veçanta të kryekomisarit. Ndërsa prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 44-vjeçarin Arben Frroku, duket se nuk ka marrë ende asnjë vendim për shtetasin Jak Jaku.

Prokuroria nuk ka paraqitur kërkesë në Gjykatë për Jakun, ndërsa burime brenda organit të akuzës bëjnë me dije se nesër do të vendoset çfarë do të bëjnë me shtetasin tjetër të ndaluar në Greqi, Jak Mark Jakun, nëse do të kërkojnë edhe për të masë sigurie në mungesë, për t’i hapur kështu rrugë ekstradimit të tij, vendim që mund të merret në bazë të një vendimi gjykate.

Biznesmeni, së bashku me Jak Jakun të arrestuar vetëm një ditë më parë nga policia greke në Selanik, janë të dyshuarit kryesorë për atentatin mafioz që i mori jetën ish-shefit të komisariatit numër 6 duke e qëlluar me një breshëri plumbash pak metra larg banesës së tij teksa Lamaj dilte nga makina.

Ditën e hënë Policia e Shtetit, deklaroi nëpërmjet zëdhënësit Tefik Sulejmani se veprimet hetimore kanë treguar se komisari Dritan Lamaj është vrarë për shkak të detyrës dhe se nga veprimet hetimore dhe procedurale të kryera ka rezultuar se autorët e dyshuar të kësaj ngjarje të rëndë janë shtetasit Arben Preng Frroku, 44 vjeç,dhe Jak Mark Jaku, 31 vjeç banues në Tiranë.

Dje Policia e Shtetit në deklaratën e parë zyrtare për mediat, duke konfirmuar vrasjen për shkak të detyrës, tha ndër të tjera se në banesën e Jak Jakut dhe vëllait të tij Ndue Jaku u gjet një arsenal armësh dhe një sasi e konsiderueshme lënde narkotike. Gjatë kontrolleve të ushtruara në banesat e autorëve të dyshuar, u sekuestruan 1 snajper, 2 armë zjarri automatike kallashnikov, 1 pistoletë, 2 armë gjahu, si dhe një sasi e konsiderueshme fishekësh e municione të llojeve të ndryshme, etj.

DJALI I BIZNESMENIT: JA ITINERARI I TIM ATI ME 24 SHKURT
Disponojmë të gjitha provat e mjaftueshme për të deklaruar se im atë nuk është fajtor dhe as i implikuar në vrasjen e kryekomisarit Dritan Lamaj. Është kjo letra publike e Grand Frrokut, djalit të biznesmenit Arben Frroku, i arrestuar dje si personi kryesor i dyshuar në ekzekutimin e kryekomisarit mbrëmjen e 24 shkurtit.

Në një letër drejtuar opinionit publik, Grandi, djali i te arrestuarit, duke shprehur ngushëllimet ndaj familjes Lamaj akuzon Policinë e Shtetit se si pasojë e nevojës thjesht për t’i vënë një emër kësaj ngjarje të rëndë, ka shpallur të dyshuar babain e tij.

“Nuk mund ta kuptoj ngutjen e policisë së shtetit për të ngushtuar rrethin e të dyshuarve tek babai im dhe për ta shpallur si të dyshuarin kryesor. Në këtë rast është cënuar ajo që quhet prezumimi i pafajësisë”, -shprehet djali i Arben Frrokut. Sipas Grand Frrokut konflikti i familjes së tij me kryekomisarin Dritan Lamaj ka qenë vetëm një prej konflikteve të shumta të viktimës.

“Përsa kemi marrë vesh nga mediat vizive apo të shkruara i ndjeri ka pasur një sërë konfliktesh për shkak të detyrës dhe rasti ynë i trumpetuar me forcë ka qenë vetëm njëri prej tyre, dhe për këtë ne i jemi drejtuar organeve kompetente, Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë. Nuk mund ta kuptoj ngutjen e policisë së shtetit për të ngushtuar rrethin e të dyshuarve tek babai im dhe për ta shpallur si të dyshuarin kryesor. Nevoja e policisë për t’i vënë një emër kësaj pune, në vend që të sqarojë opinionin dhe familjarët e të ndjerit, po shpërndan shumë tym dhe po i hedh benzinë zjarrit, pasi krijon artificialisht konflikt midis dy familjeve dhe fiseve në fjalë. Dua të bëj me dije opinionin publik se që në çastin që u njoftua ngjarja, policia e shtetit ka ushtruar kontroll në banesat tona dhe na ka shoqëruar në ambientet e Drejtorisë së Policisë Tiranë, ku kemi dhënë shpjegimet e nevojshme", shprehet djali i Arben Frrokut

Grand Frroku ngre alibinë se babai i tij me datë 24 shkurt kur u ekzekutua komisari Dritan Lamaj ka qenë në Laç, ku luhej ndeshja midis Kamzës dhe Tërbunit, pasi prej disa kohësh është president i ekipit të Tërbunit.

“Pas mbarimit të ndeshjes ka ardhur në Tiranë në ambientet e biznesit të tij dhe për këtë disponojmë prova dhe filmime. Më pas është nisur drejt Selanikut, te një i afërm”, -sqaron Grand Frroku, ndërsa nuk saktëson asnjë orar të këtyre lëvizjeve të babait të tij.

Djali i biznesmenit të vënë nën akuzë për vrasjen e Dritan Lamajt mbyll deklaratën e tij duke theksuar se “përkimi i ngjarjes me ikjen Arben Frrokut në Greqi është një koincidencë që po keqpërdoret nga Policia, ndërsa shpreson që drejtësia të veprojë me profesionalizëm dhe në përputhje me ligjin.

Redaksia Online
(Gre.M/Shqiptarja.com)