Biznesmeni Arben Frroku nuk do të gjykohet nga e para për dënimin me burg përjetë, që rëndon ndaj tij me akuzën e vrasjes së ish-kryepolicit të Kombinatit, Dritan Lamaj, ngjarje kjo e ndodhur më 25 shkurt 2013.

Në seancën e sotme mbi bazë dokumentesh, Gjykata Kushtetuese ka vendosur të rrëzojë kërkesën e Frrokut, duke lënë kështu në fuqi vendimin nr.443 të kolegjit penal të gjykatës së lartë dhënë më 8 qershor 2017. Por si u përfshi biznesmeni Frroku në këtë përballje me drejtësinë shqiptare? Menjëherë pas vrasjes së Lamajt mbrëmjen e 24 shkurtit 2013, Policia e Tiranës e shpalli atë në kërkim dhe nëpërmjet Interpol.

Por, Frroku nuk ndodhej në Tiranë dhe rezultonte se disa orë pas vrasjes, për të cilin ai ishte i dyshuar, kishte udhëtuar drejt Greqisë. Pas arrestimit në Greqi, Arben Frroku në muajin nëntor 2013 do të ekstradohej në Shqipëri dhe do të dilte para gjykatës me akuzën e vrasjes së Lamajt.

Më 3 Prill 2015, Gjykata e Shkallës së Parë pranë Krimeve të Rënda vendosi të shpallë të pafajshëm Arben Frorku dhe pse Prokuroria kërkoi dënimin me burg përjetë. Pas këtij vendimi, Prokuroria depozitoi apel dhe kërkoi sërish dënimin e tij. Dy muaj më pas, më 29 qershor 2015, Apeli i Krimeve vendosi të prishë pafajësinë, duke vendosur dënim me burg përjetë.

Ky vendim nuk u ekzekutua, pasi gjatë kohës së pafajësisë Arben Frroku ishte larguar nga Shqipëria për t’u arrestuar shumë muaj më pas në Holandë, ku tashmë ndodhet në pritje të ekstradimit. Arben Frroku është vëllai i ish-deputetit Mark frroku, ndërsa në kohë të ndryshme të dy vëllezërit kanë drejtuar edhe partinë Kristian Demokrate, me të cilën Marku arriti të bëhej deputet.

d.b/shqiptarja.com