Vrasja e Levantit në prill, e shoqja: 
Ditëlindjen e djalit e bëmë mort

Vrasja e Levantit në prill, e shoqja: <br />Ditëlindjen e djalit e bëmë mort
TIRANE-  Lubjana Myzeqari është vetëm 19-vjeç dhe ndryshe nga bashkëmoshataret e saj që mendojnë se ku do ta pinë kafenë e rradhës, ajo mendon si do t’i rrisë dy fëmijët e saj jetimë.

Lubjana, është bashkëshortja e të ndjerit Adrian Levanti, i cili u ekzekutua me armë zjarri mbrëmjen e 26 prillit të këtij viti. Levanti u vra me shtatë plumba në momentin kur po shkonte në banesë.

Ndërkohë, policia akoma nuk ka arritur që të zbardhë vrasjen e tij, e cila mbeti pa autor. Në një intervistë për “Shqiptarja.com”, e veja thotë se ajo kërkon që të gjendet vrasësi i babait të dy fëmijëve të saj dhe të marri dënimin që meriton. Ajo ka shpresa që një ditë drejtësia do të vihet në vend. Gjithashtu, me lot në sy 19-vjeçarja na rrëfen momentet e fundit me bashkëshortin e saj. “Atë ditë kur e vranë Adin, ne do të festonim ditëlindjen e djalit tonë, i cili mbushi 1 vjeç. Adi kishte premtuar që ditëlindjen e djalit do ta bënte madhështore. Para se të dilte nga shtëpia i preu flokë djalit dhe i futi në portofol. Na puthi fort si asnjëherë tjetër mua, vajzën dhe djalin dhe doli nga shtëpia...” rrëfen Lubjana. Më pas ajo na tregon edhe momentin e vrasjes së bashkëshortit të saj. “Nga ora 23.00 dëgjova zëra, nëpër shkallët e pallatit. Më pas të shtëna. Pashë nga syri i derës dy persona të dobët, të gjatë dhe që kishin një si tip dërrase në dorë. Nuk ja dallova dot fytyrën sepse i kishin fikur dritat e pallatit. Kurrë nuk e mendova që ata kishin vrarë Adin...”

Lubjana, mund të na tregoni se çfarë ndodhi mbrëmjen e 26-prillit?
Bashkëshorti im Adi atë ditë ka qenë në punë. Kur erdhi në shtëpi hëngrëm drekë bashkë dhe pastaj më tha mua rri shplodhu sot se i rregulloj unë gjërat e shtëpisë, kjo ngaqë kishim bërë disa punime në banesë. Ai sikur e ndjente se diçka e keqe do ti ndodhte sepse nuk më ndihmonte ndonjëherë në mirëmbajtejn e banesës. Ishte hera e parë dhe kjo gjë po më bënte shumë përshtypje. Pastaj më tha se do të dilte sepse e kishte thirrur një shok. I preu djalit flokët dhe i futi në portofolin e tij, se të nesërmen djali kishte ditëlindjen, mbushte një vjeç. Para se të dilte nga shtëpia na puthi fort të treve, mua, vajzën dhe djalin dhe më tha se do të kthehej shpejt. Pastaj doli nga dhe shkoi të takonte shokun.
 
Përse kërkonte shoku i tij që ta takonte Adrianin atë ditë?
Nuk e di. Më bëri përshtypje dhe mua. Ai e dinte shumë mirë që ne do përgatiteshim për të festuar ditëlindjen e djalit tonë. Mirë që e thirri por e la të vinte natën vonë vetëm në shtëpi. Nuk e mori mundimin as që ta sillte me makinën e tij, pasi ai i dinte mirë problemet e Adit në atë periudhë. Gjithmonë kam pasur dyshime tek kjo pjesë.
 
Më pas çfarë ndodhi?
Në darkë u shtriva bashkë me fëmijët. Por nga ora 23.00 dëgjova zëra, zhurma nëpër shkallë. Dhe më pas të shtëna. Pashë nga dera dy persona të dobët dhe të gjatë dhe që kishin një si tip dërrase në dorë. Nuk e dallova fort mirë sepse i kishin fikur dritat e pallatit. Kishin veshur rroba të errta, të zeza. Po zbrisnin shkallët, më pas dola në dritare dhe i ndoqa me sy derisa u zhdukën.
 
Çfarë bërë në atë moment?
Pas kësaj skene që pashë mora Adin në telefon. Doja ti thoja që të vinte në shtëpi sepse kishim frikë për shkak të atyre që pashë dhe të shtënave. Por Adi nuk mu përgjigj në telefon. Pastaj telefonova vjehrrën. E pyeta nëse Adi ishte tek ajo. Vjehrra më tha që tek ajo nuk kishte shkua. I tregova për atë që kisha parë dhe menjëherë u nis për në banesën tonë. Para se të vinte vjehrra erdhi policia dhe menjëherë dola te dera. Policët më thanë që të hyja brenda dhe të mos lëvizja. Në atë moment fillova të dyshoja se përse më thanë atë gjë. Pas disa minutash dëgjova se ishte vrarë një person në katin e shtatë të pallatit.
 
Kur e more vesh që personi që kishin vrarë në katin e shtatë të banesës ishte bashkëshorti juaj?
Po erdhi vjehrra ime dhe menjëherë filloi të ngjitej për në katin e shtatë të pallatit. Shkova pas saj. Në katin e pestë ishin forcat e policisë, të cilët na ndaluan që të shkonin më lart. Kur kemi qëndruar në katin e pestë kemi parë të varur dorën e Adit. E njoha menjëherë që ishte dora e tij. E vranë pa mëshirë. Ai nuk pati kohë që të trokiste në derë, pasi ata e kanë ndjekur me vrap. E kanë pritur, poshtë te hyrja e pallatit dhe në momentin që ai i ka njohur, ka tentuar të largohet. Si rrugëzgjidhje të vetme ka gjetur ngjitjen nëpër shkallë, deri në katin e shtatë.
 
Cfarë ju thanë më pas?
Policia tha se është vrarë për hakmarrje. Për shkak të një konflikti që ka pasur më parë bashkëshorti im. Por edhe sot e kësaj dite nuk është arrestuar vrasësi i tij. Autori i vrasjes është akoma i lirë.
 
Ju çfarë kërkoni?
Më vranë babain e dy fëmijëve të mi dhe unë kërkoj që drejtësia të vihet në vend. Nuk do të dorëzohemi derisa të dali e vërteta. E kemi lënë pak në heshtje këtë çështje sepse janë edhe pushimet e verës. Nuk duam që ta vazhdojmë këtë konflikt. Duam thjesht të gjendet vrasësi dhe të marri dënimin që meriton.

Intervista u botua në Shqiptarja.com (print), 11 gusht 2013

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Skandali me mbetjet toksike, sipas jush e kujt është përgjegjësia?



×

Lajmi i fundit

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator

Pasojat e një Gushti të vështirë, për disa shenja, mund të duken në Shtator