Ditën e djeshme, Gjykata e Apelit të Tiranës ka liruar nga burgu 3 autorët e dyshuar të vrasjes së 26-vjeçarit Martin Çeço, për shkak të tejkalimit të afateve të paraburgimit, duke i lënë ata në ‘arrest shtëpie‘.

Avokati i autorëve, Nevzat Tarelli deklaroi se Apeli ka korrigjuar vendimin që mori Gjykata e Shkallës së Parë dhe se kohëzgjatja e afateve të paraburgimit tërësor është jo më shumë se tre vjet.

Sipas avokatit, kjo kohëzgjatje ka përfunduar që në datën 16 Qershor 2025 dhe Gjykata e Apelit ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e personave.

Në këto raste, shton avokati Tarelli, ligji parashikon që gjykata nuk mund të japë një tjetër paraburgim por mund të japë çdo masë sigurimi tjetër. 

"Nuk është vendim për ndryshimin e masës së sigurimit por gjykata e Apelit ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit që janë koncepte të ndryshme dhe ka korrigjuar vendimmarrjen e Gjykatës së Shkallës së Parë. Për dijeni të publikut e të të gjithëve, ligji procedurial penal parashikon një kohëzgjatje të afateve të paraburgimit tërësor jo më shumë se tre vjet, kohë gjatë së cilës sistemi gjyqësor duhet të dalë me një vendim të formës së prerë. Kjo kohëzgjatje ka përfunduar që në datën 16 Qershor 2025 dhe në momentin që ju drejtova Gjykatës së Shkallës së Parë, me shumicë votash ajo e rrëzoi kërkesën time me një arsyetim që për mua është jo procedurial, vendim i cili u bë objekt ankimimi në gjykatë nga ana ime dhe gjykata e apelit në Tiranë dje ka shqyrtuar çështjen dhe ka konceptuar humbjen e fuqisë së paraburgimit dhe ka urdhëruar lirimin e personave. Në këto raste, ligji parashikon që gjykata nuk mund të japë një tjetër paraburgim por mund të japë çdo masë sigurimi tjetër. 

Përse e thashë që në fillim të deklaratës se gjykata pjesërisht ka zgjidhur çështjen dhe pjesërisht ka cënuar interesin e të pandehurve? Jeni të njohur besoj me vendimin e Gjykatës Kushtetuese me numër 40 të datës 17 qershor 2025 në çështjen Margjeka. Gjykata kushtetuese në mënyrë përfundimtare sqaroi se arresti në shtëpi është paraburgim, njëlloj si arresti me burg. Pra vendimmarrja e gjykatës së apelit dje, ka shkelur këtë vendim të Gjykatës Kushtetuese duke caktuar përsëri një tjetër paraburgim, siç është arresti në shtëpi. Gjykata dje kishte vetëm një zgjidhje ligjore, që mund të caktonte masa të tjera siç është "detyrim paraqitje" ndoshta edhe me "ndalim të daljes jashtë shtetit". Këtë kam kërkuar dhe kjo ishte zgjidhja e drejtë e çështjes. Gjykata ka pranuar të konstatojë humbjen e fuqisë së paraburgimit "arrest me burg" dhe ka caktuar një paraburgim tjetër "arrest në shtëpi" e cila është një absurd procedurial.

Ndaj unë me padurim po pres që të zbardhet për ta çuar në Gjykatën e Lartë e më tej në Gjykatën Kushtetuese për të sqaruar në mënyrë përfundimtare dhe për t’i hequr mekanizmin joproccedurial që po përdorin një pjesë e gjykatave duke dhënë pas mbarimit të afateve të paraburgimit, arrestin në shtëpi që është antikushtetues. Kishim vetëm një llogaritje matematikore, nuk është zgjidhur çështja në themel. Çështja në themel vijon në gjykatën e shkallës së parë në Korçë ku në datën 5 është planifikuar seanca për të vijuar gjykimin në themel sipas detyrave të dhëna nga vendimmarrja e Gjykatës së Apelit në momentin që prishi vendimin. Çështja nga gjykata e apelit është prishur dhe kthyer për rigjykim, ndërsa ka specifikuar në vendimin e saj një sërë detyrash të cilat prej nesh ishin kërkuar në mënyrë sistematike që në fazën e hetimeve. Kryesisht në themel është urdhëruar marrja e të dhënave nga kompania Meta. Jemi në momentin fillestar dhe në rigjykim do të duhet të shprehet në kërkesat tona. Nuk ka liruar dje gjykata, ka konstatuar një diçka shumë procceduriale e teknike që ka të bëjë me afatet e paraburgimit.", theksoi ai.

Në 10 shkurt 2025, Gjykata e Shkallës së Parë në Korçë shpalli fajtorë 4 të pandehurit për vrasjen e Martin Çeços dhe i dënoi ne total me 83 vite burgim, përkatësisht: Valter Mollaj – 25 vite burg, Edlir Mollaj – 23 vite burg, Martina Pajollari – 20 vite burg, Blendi Angjo – 15 vite burg.

Ndërsa në qershor të 2025-ës, Gjykata e Apelit në Tiranë, me kërkesë të mbrojtjes, prishi vendimin e shkalles së pare dhe vendosi që çështja të rikthehet për rigjykim me një trupë tjetër gjyqësore ne Korçë. 

Sipas hetimeve të deritanishme, 26-vjecari dyshohet se u vra për çështje xhelozie pasi kishte krijuar lidhje dashurie me Martina Pajollarin, e cila gjithashtu ishte e lidhur me Valter Mollajn. Pajollari vijon të qëndrojë në masën arrest me burg.