Teksa këtë të hënë u zhvillua seanca e radhës gjyqësore ndaj portugezit Ruben Saraiva, i akuzuar për vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj, ngjarje e ndodhur në prill të vitit 2023 në Shëngjin, eskorta që e shoqëronte Saraivën, u përball me vështirësi në qytetin e Lezhës.

Mjetet e Policisë së Burgjeve dhe ato të Policisë së Shtetit mbetën të bllokuara për disa minuta për shkak të punimeve infrastrukturore që po realizohen prej muajsh në kuadër të sistemimit të kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza.

Si pasojë e situatës së krijuar, efektivët e armatosur zbritën nga automjetet për të garantuar sigurinë e të pandehurit, i cili transportohej nën masa të rrepta sigurie drejt ambienteve te gjykatës.

Për Ruben Saraivën Prokuroria e Lezhës ka ngritur akuzat "vrasja për gjakmarrje", e kryer në bashkëpunim dhe "armëmbajtja pa leje", teksa tashmë do të jetë gjykata e cila do të vendosë, nëse kjo çështje do të kalojë për gjykim themeli apo do të kthehet për plotësim hetimesh.

Portugezi Ruben Saraiva u ekstradua në Shqipëri me 31 dhjetor të vitit 2023, pas vendimit të Gjykatës së Marokut, e cila pranoi kërkesën e autoriteteve shqiptare. Në vazhdimësi, e ka mohuar që të ketë lidhje me vrasjen e biznesmenit Ardian Nikulaj në Shëngjin.

Për krimin, të akuzuar janë edhe 4 shtetas britanikë që ndihmuan, si dhe i dyshuari Edmond Haxhia, si organizator dhe porositës i vrasjes me motive gjakmarrjen.

Ardian Nikulaj u ekzekutua më 19 prill 2023 në Shëngjin, në ambientet e lokalit të tij ‘Coral’, në hotelin buzë detit.

Vrasja e biznesmenit Ardian Nikulaj ishte në vazhdën e zinxhirit të hakmarrjes që familja e viktimës kanë me fisin Lekstakaj, konflikt ky që ndër vite, që nga 1997 ka shkaktuar bilanc me shumë viktima.