TIRANE- Deputetët e Partisë Demokratike braktisën Komisionin e Ligjeve dhe janë nisur në drejtim të Shkozetit ku ndodhi vrasja në shkollë.

Deputeti Eduard Halimi ai i cili ka deklaruar se, në Durrës është vrarë një nxënës në shkollën profesionale “Beqir Çela” dhe se policia nuk po mbron jetën.

Kryetari i PD-së Lulzim Basha thotë se policia e shtetit nuk po kryen detyrën e saj.
 
“ Sot është një ditë e tmerrshme për një familje durrsake. Por është një ditë e keqe mes shumë ditëve të këqia që po përjetojnë qytetarët e Shqipërisë, në dështimin total të kësaj qeverie për të luftuar krimin, në sinjalet tepër negative që militantizmi në krye të Policisë së Shtetit dhe keqpërdorimi i Policisë së Shtetit, jashtë mandatit të saj ligjor po i jep jo vetëm krimit ordiner por edhe krimit të organizuar. Me hapat që po hedh, jo vetëm që kjo qeveri nuk po ndihmon për një shtet, për një shoqëri më të sigurt, me rend dhe me ligj por po njehsohet me shpejtësi me një nga qeveritë më të dështuara në historitë e Ballkanit dhe historinë e Shqipërisë.

Me këtë rast, i bëj thirrje strukturave të Policisë së Shtetit, të shkunden nga plogështia që i ka zënë, të refuzojnë skenarët politikë që i serviren nga krerët e tyre të politizuar, t’i përmbahen ligjit dhe të bëhen një me qytetarët, kundër krimit dhe jo një me këtë qeveri e cila duket se jo vetëm nuk po e lufton krimin por në praktikat që po ndjek po njehsohet me të dita ditës.”- tha Basha, i cili ishte i pranishëm në zonën e Shkozës, teksa po inauguronte rrugën “Agush Gjergjevica”

Redaksia online
(sg/shqiptarja.com)