TIRANE- Kur kanë kaluar 20 vite nga zhdukja e Remzi Hoxhës, biznesmenit dhe veprimtarit shqiptaro-maqedonas, vendndodhja e eshtrave të tij mbetet mister. Pavarësisht se ka të dënuar dhe është vërtetuar se u rrëmbye nga SHIK-u i Gazidedes dhe u dërgua në Vain të Lezhës ku vdiq nga torturat, shkaku i vërtetë i zhdukjes së tij vërtitet rreth takimit të dyshuar mes Milosheviçit, Berishës e Gligorov në Shën Naum, e ku mendohet se Hoxha e kishte filmuar.

Ngjarjet më pas, si dënimi i Kumbaros, Sefgjinit, Koldashit, amnistimi i tyre, emërimi i Sefgjinit drejtor shërbimi i Provës, Tatimeve më vonë, ndarja nga jeta e Gazidedes, arratisja e Kumbaros, koma-s së Meçes e “çmenduria” e Koldashit, deklaratat e Klosit, të bashkëpunëtorëve të Hoxhës dhe zyrtarëve të tjerë janë disa sinjale që hedhin dritë mbi këtë mister 20 vjeçar.