Pas afro tre dekadash, ish-kreu i bandës Duane “Keffe D” Davis është shpallur fajtor për organizimin e vrasjes së reperit të njohur Tupac Shakur, raporton BBC. Davis u shpall fajtor për vrasjeje me armë për vdekjen e superyllit në Las Vegas më 7 shtator 1996.

Davis qëndroi i heshtur dhe pa shfaqur emocione në sallën e gjyqit teksa u lexua vendimi. Pas shpalljes së verdiktit, ai deklaroi se do ta apelojë vendimin.

Në sallën e gjyqit, familjarë të Tupac Shakur u kapën për dore, ndërsa disa prej tyre u përqafuan dhe shpërthyen në lot.

Tupac Shakur ishte vetëm 25 vjeç kur u vra, në kulmin e karrierës së tij dhe në një periudhë kur konsiderohej një nga zërat më me ndikim të muzikës rap. Ai ka shitur më shumë se 75 milionë albume në mbarë botën.

Prokuroria argumentoi gjatë gjyqit se Davis, i cili në të kaluarën kishte qenë një nga drejtuesit e bandës së rrugës South Side Compton Crips, nuk ishte personi që qëlloi me armë ndaj reperit. Megjithatë, sipas prokurorëve, ai kishte urdhëruar sulmin dhe kishte siguruar armën që u përdor në atentat.

Sipas akuzës, arma u përdor nga nipi i Davis, Orlando Anderson, i cili dyshohet se hapi zjarr ndaj automjetit ku ndodhej Tupac.

Prokurorët thanë se vrasja ishte planifikuar si hakmarrje, pasi vetëm disa orë para atentatit, Anderson ishte përfshirë në një përleshje me Tupac Shakur dhe pjesëtarë të grupit të tij në Las Vegas.