Vrasja e shqiptarëve në Gostivar,
media: Polici u vetëmbrojt

Vrasja e shqiptarëve në Gostivar,<br />media: Polici u vetëmbrojt
Mediat maqedonase e kanë quajtur sulm ndaj policit, incidentin e ndodhur dje në Gostivar që përfundoi me humbjen tragjike të dy të rinjve shqiptarë. Siç raporton agjencia e lajmeve INA në të gjitha mediat maqedonase qofshin vizive apo të shkruara, thuhet se polici maqedonas shtiu ndaj të rinjve për vetëmbrojtje.

Një version i tillë u dha nga e përditshmja “Dnevnik”, e cila shkruan se “polici shtiu me armë për vetëmbrojtje”. Po kështu shumica e gazetave dhe televizioneve e përshkruan krimin, duke theksuar se polici nxorri armën pasi u sulmua nga shqiptarët”.

Ministria e Punëve të Brendshme gjithashtu në vlerësimin e këtij krimi monstruoz theksoi përmes zëdhënësit Ivo Kotevski se efektivi i policisë kishte shtënë në kushtet e vetëmbrojtjes.

Ndërsa një pjesë e mediave tjera, raportuan në mënyrë të drejtë dhe profesionale për vrasjen, duke sqaruar si shkas për vrasjen zënkën banale për parkimin e makinave.

Ngjarja tragjike ndodhi dje rreth orës 13.00 në një nga zonat më të populluara të Gostivarit. Sipas MPB-së, vrasësi është Jaqim Trifunovski, 39 vjeç, punonjës i policisë në stacionin policor për sigurimin e kufirit shtetëror Mazraça. Ai ka qëlluar në drejtim të të rinjve me pistoletën e tij zyrtare, mirëpo nuk ka qenë në detyrë. Për pasojë kanë humbur jetën Imran Mehmeti 29 vjeç dhe Besnik Shehapi 26 vjeç. Sipas Ministrisë së Brendshme, punonjësi i policisë fillimisht ka shtënë me dy plumba në ajër në shenjë paralajmërimi.

Nesër paralajmërohen protesta

Në Gostivar nesër do të mbahet marsh në shenjë proteste kundër vrasjes së dy të rinjve shqiptarë nga ana e një polici maqedonas. Organizatorët përmes një komunikate kanë informuar se marshi protestues i 1 marsit do të jenë një formë e shprehjes së pakënaqësisë dhe indinjatës kundër vrasjes.

Sipas organizatorëve marshi do të nis nga vendi ku është kryer krimi, pranë Gjykatës së Gostivarit dhe do të përfundojë para stacionit policor.

Gjithashtu bëhet thirrje për pjesëmarrje masive në ceremoninë e varrimit të dy rinjve sot në Gostivar. “Pjesëmarrja duhet të jetë sa më masive, dinjitoze dhe paqësore ”, theksojnë organizatorët.

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë

Report Tv në Gjadër, ja pamjet brenda qendrës së emigrantëve! Detajet si do funksionojë