TIRANE- Vrasja e Viktor Skejës, 47 vjeç e bërë dy ditë më parë, është bërë për hakmarrje. Kjo është pista kryesore ku po heton Policia e Tiranës, e cila ka kërkuar informacione nga Policia e Laçit në lidhje me jetën e 47-vjeçarit nga Kurbini. Burime nga grupi hetimor kanë bërë të ditur se, të gjitha e hetimin në lidhje me vrasjen e Skejës, të çojnë drejt çështjes së hakmarrjes, pasi viktima dyshohej për një vrasje të bërë në vitin 1997 në qytetin e Laçit.

Ky është konkludimi paraprak për ekzekutimin e pasdites së të dielës në rrugën Riza Cerova në Tiranë, i cili është dhe atentati i tretë që i bëhej prej vitit 1997. Sipas burimeve, Skejës i është gjetur dhe një pistoletë në brez, të cilën nuk ka mundur ta përdorë në momentin kur ndaj tij kanë qëlluar plot 10 herë duke e lënë të vrarë në vend.
 
HETIMET E POLICISË
Pas ekzekutimit të Skejës, policia e kryeqytetit ka ngritur një grup hetimor në bashkëpunim edhe me prokurorinë. Burimet pranë këtij grupit kanë bërë me dije se pista kryesore është hakmarrja për vrasjen e Gjin Gjinit, ngjarje e ndodhur në në 28 majin e vitit 1997 në qytetin e Laçit, dhe që dyshohet të jetë porositur dhe paguar nga Skeja. Ngjarja vinte pak kohë pasi Skeja ishte plagosur si pasojë e të shtënave ndaj automjetit të tij në Sanxhak të Kurbinit.

Në këtë ngjarje mbeti i plagosur edhe A. K., që ndodhej me Viktor Skejën në makinë. Ndërkaq, po në 13 marsin po të vitit 1997 Skeja bashkë me 6 persona të tjerë akuzohen të kenë grabitur bankën e qytetit të Laçit. Pavarësisht të shkuarës kriminale, si dhe një dënimi trafik droge në Itali, Skeja ishte emëruar dhe ka ushtruar detyrën e drejtorit të ÇEZ Shpërndarje për zonën e Kurbinit të paktën deri në pranverën e vitit të kaluar.  Ky emërim është bërë nga Qeveria “Berisha”, kur shteti ia mori aministrimin kompanisë çeke ÇEZ.
 
PRECEDENTË KRIMINALË
Viktor Skeja, i vrarë ditën e dielë, datë 1 qershor është me precedentë të shumtë që zyrtarisht nisin në vitin 1997, por që sipas policisë nuk përjashtohet të ketë kryer aktivitet të paligjshëm dhe më parë. Nga të dhënat hetimore konfirmohet se viktima ka qënë me precedentë të theksuar kriminal: Viktor Skeja së bashku me 6 persona të tjerë, janë autor të dyshuar të vjedhjes me armë të bankës së qytetit të Laçit, ngjarje kjo e ndodhur më datë 13 mars 1997.

Ndërkaq, në maj të vitit 1997 në vendin e quajtur Sanxhak po në Laç, janë plagosur armë zjarri shtetasit Viktor Skeja dhe A.,K, të cilët po udhëtonin me automjetin e Viktor Skejës. Në datë 28 maj 1997, në qendër të qytetit të Laçit është vrarë me armë zjarri Gjin Gjini dhe dyshohet se autor është një person, i paguar nga Viktor Skeja për të realizuar vrasjen. 

Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 3 qershor 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)