Arrestohet autori kryesor për vrasjen e e 33-vjeçarit nga Vlora Ergys Gjioveshaj dhe plagosjen e tre të tjerëve, në prill të 2017-ës në Ujin e Ftohtë në Vlorë.

Në pranga ka rënë Arianit Kondi, 42 vjeç, banues në Vlorë, i cili është dënuar me 8 vjet burg, për veprat penale "Vrasja me dashje“ dhe “Armëmbajtja pa leje”. Tre personat e tjerë të plagosur nga kjo ngjajre janë Florjan Hilaj, Arta Luka dhe Arsonel Llanaj. Kjo ngjarje ka nodhur më 20 prill në një lokal në prani edhe të një këngëtareje të muzikës live.

Arianit Kondi prej 3 vitesh i është fshehur drejtësisë, ndërkohë që në gjykatën e Shkallës së parë Vlorë është dënuar me 30 vite burgim fillimisht, por ka përfituar nga gjykimi i shkurtuar.

Sipas akuzës Ergys Gjioveshaj humbi jetën, pasi në drejtim të tij u qëllua 18 herë nga Aranit Kondi. Nga kontrolli i kufomës, në xhepin e brendshëm të xhupit atij iu gjet një armë zjarri pistoletë e markës “MAGNIUM” me 5 copë fishekë, të cilën viktima nuk e ka përdorur në këtë ngjarje.

Të pandehur në këtë çështje si autorë të dyshuar janë dhe Ergest Sina e Eljaso Çela, të dënuar me nga 2 vite burgim për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi, por asnjëri prej tyre nuk ndodhet në qeli.

“Ekzekutohet vendimi i Gjykatës për një shtetas të shpallur në kërkim. Nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP Vlorë është ekzekutuar vendimi i formës së prerë të Gjykatës së Apelit Vlorë për shtetasin Arianit Kondi, 42 vjeç, banues në Vlorë, i cili është dënuar me 8 vjet burg, për veprat penale "Vrasja me dashje“ dhe “Armëmbajtja pa leje”. Ky shtetas, në datën 20.04.2017, gjatë një konflikti, ka vrarë me armë zjarri shtetasin E. GJ. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftim.