TIRANE- Partia Demokratike e nis mbrapsht vitin 2014. Në deklaratën e saj të parë për këtë vit, forca më e madhe opozitare e nisi punën duke akuzuar Ministrin e Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, për operacionin e policisë së shtetit në kapjen e Gazmir Markut, ku ky i fundit mbeti i vrarë. Në këtë deklaratë të parë për vitin 2014, Partia Demokratike vijon me të njejtin ritëm si në vitin që lam pas duke u bërë vetëm deklarata akuzuese ndaj qeverisë, diçka kjo krejt ndryshe nga se kishte premtuar kryetari i PD-së, Lulzim Basha në marrjen e mandatit të tij në krye të partisë.

Konkretisht Basha premtoi në muajin tetor se do të zhvillonte një opozitë konstruktive e cila do të merrej me probleme konkrete si edhe do të propozonte ligje të caktuara në mëyrë që të sillte një opozitë të re në politikën shqiptare. Por kjo gjë mesa duket mbeti vetëm fjalë pasi PD-ja vijon duke akuzuar mazhorancën ku gjatë ditës së djeshme, koordinatoria për mediat në PD, Silvi Bardhi, akuzoi Ministrin Tahiri për lëvdatat që i kishte dhënë policisë së shtetit në kapjen e Gazmir Markut. Sipas PD-së, Tahiri duhet të distancohet nga deklarata e tij pasi në këtë aksion mbeti i vrar Gazmir Marku, i cili një ditë më parë kishte plagosur një efektiv të policisë së shtetit. “Prej 5 ditësh, asnjë reflektim nga ana e Ministrit të Brendshëm, i cili ka mbajtur publikisht qëndrimin më të papjekur në historinë e shtetit shqiptar.

Partia Demokratike i kërkon z.Tahiri të japë shpjegime e të distancohet menjëherë nga qëndrimi i tij mbi vrasjen e një qytetari nga policia, pasi sjellja e tij është një akt turpi për shtetin, për imazhin e vendit, dhe për vetë Policinë e Shtetit. Është e pabesueshme që Ministri i Brendshëm të thotë bravo për një vrasje, ta konsiderojë policinë e shtetit si një organizatë që merr hak, dhe ta trajtojë ngjarjen si një çështje të brendshme, duke harruar ligjin dhe rregullat e shtetit. Partia Demokratike mbështet aksionet e policisë edhe kur ato sjellin pasoja ekstreme, nëse kjo është një masë e nevojshme për sigurinë e vetë policisë dhe të qytetarëve. Partia Demokratike mbështet reagimin e policisë kur është proporcional dhe në kushtet e parashikuara në ligj. Por është e pafalshme që Ministri i Brendshëm të predikojë vrasjen. Kjo nuk është sjellja e një ministri të një vendi që aspiron të integrohet në Bashkimin Europian”, theksoi Bardhi.

Akuzat e Partisë Demokratike vijuan duke theksuar se pëgjegjshmërinë në këtë deklaratë të Ministrit të Brendshëm e ka edhe Kryeministri Rama pasi të gjitha deklaratat e qeverisë duhet të kalojnë në zyrën e Kryeministrisë. “Duke qenë se deklaratat e Ministrave, përpara se të bëhen publike, kalojnë nga aparati qëndror i Edi Ramës, për fat të keq, kjo histori delirimi me pushtetin përfshin dhe Kryeministrin e vendit. Kjo e bën edhe më të rëndë situatën, dhe më të pashpresë zgjidhjen. Vetëm një distancim i qartë publik, do të ishte një lehtësim për opinionin publik që është sot e kësaj dite i shqetësuar për komentet e qeverisë mbi vrasjen e një qytetari të dyshuar për vepra të rënda penale”,- tha Silvi Bardhi.


Shkrimi u publikua sot (05.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)