Policia e Sarandës ka reaguar për vrasjen e Rexhep Ismailit, i cili u qëllua me plumb në kokë në lokalin e tij. Policia thotë se ka identifikuar autorin, Lulzim Tabaku dhe është shpallur në kërkim. Ndërkohë, nga shkëmbimi i zjarrit ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i paidentifikuar, i cili është larguar bashkë me autorin. 

"Rreth orës 21:30, në vendin e quajtur “Qafë Gjashtë”, në lokalin në pronësi të shtetasit Rexhep Ismaili, gjatë një konflikti për motive që do të zbardhen gjatë hetimit, mes disa personash, ku fillimisht konflikti ka nisur me sende të forta dhe më pas me përdorimin e armëve të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi Rexhep Ismaili, 66 vjeç, banues në Qafë Gjashtë, Sarandë.

Gjithashtu, dyshohet se gjatë konfliktit me armë zjarri është plagosur edhe një shtetas tjetër, i cili ende nuk është paraqitur për ndihmë mjekësore dhe nuk është identifikuar.

Nga veprimet e para hetimore dhe informacionet e siguruara në vendngjarje, dyshohet se shtetasi Lulzim Tabaku ka vrarë me armë zjarri shtetasin Rexhep Ismaili dhe më pas është larguar nga vendi i ngjarjes së bashku me personat e tjerë të përfshirë dhe me shtetasin që dyshohet se ka mbetur i plagosur.

Shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit dhe të personave të përfshirë në konflikt.

Njëkohësisht, po ushtrohen kontrolle në spitalet rajonale dhe në klinikat private, me qëllim identifikimin dhe gjetjen e shtetasit të dyshuar të plagosur.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon veprimet për zbardhjen e plotë dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes", njofton policia. 


Lajmi kryesor:

Vritet me plumb në kokë pronari i një karburanti në Sarandë! Shkëmbim zjarri brenda në lokal pas sherrit, një i plagosur! Autori në kërkim! Viktima edhe kryetar i Shoqatës Çamëria (EMRI + VIDEO)