VLORE-Arrestohet i riu që vrau Ergys Gjioveshajn dhe plagosi tre të tjerë mbrëmjen 20 prillit në qytetin e Vlorës.
 
Policia ka arrestuar Gani Tozajn, 19 vjeç në një banesë në lagjen "Ujë i Ftohtë" pranë vendit të quajtur "7 pallatet" në orët e para të mëngjesit të sotëm.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim A.K., 37 vjeç, banues në Vlorë për veprën penale "Vrasje në rrethana cilësuese në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, kryer në bashkëpunim" dhe "Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve" dhe E.S., 25 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Moskallëzim Krimi".

gani tozaj Ergys Gjioveshajn

U plagosen muzikanti, kamarieri e klientja
Ergys Gjioveshaj, 33 vjeç mbeti i vdekur dhe F.H., 28 vjeç, muzikant, A.L., 26 vjeçe, kliente dhe A.Ll., 33 vjeç, kamarier u plagosën aksidentalisht.

Sipas hetimeve të deritanishme të policisë konflikti me viktimës dhe autorëve ka nisur për motive të dobëta.
 
Ngjarja ndodhi rreth orës 23:30 të të enjtes, në një nga lokalet e natës përgjatë Lungomares, në zonën e Ujit të Ftohtë.

Kamerat fiksuan autorët, viktima u shkoi në tavolinë
Ndërkohë ditën e sotme policia ka mbledhur pamjet e kamerave të sigurisë që ndodheshin në lokal, ku sipas burimeve të shtënat me armë kanë ndodhur brenda lokalit.

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë ne lokal, rezulton se 33-vjeçari i cili mbeti viktimë, ka qenë i shoqëruar me tre persona të tjerë, ndërkohë që është çuar nga tavolina dhe ka shkuar në tavolinën që ndodheshin dy persona të tjerë.

Po ashtu një nga personat që ka qenë ulur ka nxjerrë pistoletën dhe ka shtënë në drejtim të 33-vjeçarit Ergys Gjioveshaj i cili është përpjekur të largohet, por vrasësi e ka qëlluar disa herë të tjera gjë që ka sjellë dhe vdekjen e tij.
 
Ndërkohë nga pamjet e fokusuara nga kamera e sigurisë duket se një prej personave që ndodhej në tavolinë me viktimën ka nxjerrë dhe ai armën dhe ka shtënë në drejtim të vrasësit.

Ergys Gjioveshaj, i dënuar si bashkëpunëtor në vrasje
Më 20 nëntor të vitit 2001 Ergys Gjioveshaj, në atë kohë 16 vjeç, sëbashku me Florian Mecen janë përfshirë në një konflikt me fjalë me një person Muharrem A, i cili ndodhej në një makinë përballë shkollës “Qemal Ataturk” në Vlorë. 

Në vendngjarje ka qenë edhe Laert Alushi, i cili rreth 45 minuta më pas është takuar në Vlorë me Florian Mecen duke kerkuar prej tij sqarime lidhur me fyerjen e bere.

“Së bashku do ta zgjidhim ndryshe“, ishin fjalët e  Florianit të cilat u konkretizuan në mbrëmje kur edhe qëlluan Laert Alushin.

Në mbrëmjen e 20 nëntorit të 2001, Ergys Gjioveshaj, ka marrë automatikun që ndodhej në makinën e Florianit, dhe ka qëlluar me bresheri në drejtim të Laert Alushit, duke e dëmtuar atë fillimisht në këmbë dhe më pas në trup.

Ai i është drejtuar shokut të tij duke i thënë: “ Lëre Lani, lëre, hapu”.
 
Floriani e ka shtyrë Alushin duke i thënë Ergysit: “Na, bjeri”.

Gjioveshaj u dënua në vitin 2001 me 12 vjet heqje lirie nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, për kryerjen e veprave penale të mbajtjes pa leje të armëve luftarake dhe vrasjes me paramendim, në bashkëpunim.

Ergys Gjioveshaj ka qënë në kërkim nga Interpoli dhe është ekstraduar nga Austria në qershor të vitit 2011 për të kryer dënimin e dhënë nga Gjykata e Rrethit Vlorë.

Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com