TIRANE- Arjan Alla njeriu që ekzekutoi në muajin prill 2013 besimtarin Shemshir Muça brenda xhamisë së fshatit Dushk, ka deklaruar në prokurorinë e Lushnjës se si motiv i vrasjes ka qënë pisllëku në xhami.

Pavarësisht këtij motivi të dhënë nga Alla, vetë prokuroria e Lushnjës nuk e ka marrë në konsideratë këtë version, duke e lënë akuzën e ngritur për vrasje, pa një motiv konkret.

Aktualisht dosja në ngarkim të Arjan Allës është dërguar për gjykim në gjykatën e Lushnjës, dhe se shumë shpejt pritet rifillimi i hetimeve. Sipas kërkesës për gjykim, policia e Lushnjës, më datë 12 prill 2013, rreth orës 17:05, është njoftuar se brenda xhamisë së fshatit Dushk ishte gjetur një person i vdekur. Nga këqyrja e vendit të ngjarjes ka rezultuar se viktima quhej Shamshir Muça, i moshës 83 vjeç dhe ndodhej i shtrirë në mesin e sallës së lutjeve të xhamise.

Zhveshja e viktimës
Nga këqyrja e afërt e viktimës rezultonte se të ndjerit Muça i kishin prerë fytin dhe mjetin prerës njeh biçak me ngjyrë të kuqe e kishin lënë të ngulur në vertebrën e tretë cervikale dhe më pas e kishin zhveshur nga mesi e poshtë, ndërsa mbi dorën e djathtë të viktimës ishte vendosur një unazë floriri në formë rrethi, e hequr nga dora e viktimës dhe mbi dorën e majtë ishin vendosur një orë dore, ku zinxhiri ishte i këputur dhe syzet e viktimës.

Ndërkohë nga akti i ekspertimit mjeko-ligjor, rezultonte se në trupin e viktimës Shamshir Muça vërehen tre plagë në gushë të shkaktuara me mjet të fortë të mprehtë siç është edhe thika (biçaku i gjetur i ngulur në vertebrën e tretë cervikale). Policia e Lushnjës ka kontrolluar me imtësi mbientet e brendshme të xhamisë, ku në një depo që ndodhej në anën e djathtë të hyrjes së xhamisë, u gjetën dhe u morën me cilësinë e provës materiale edhe një pale pantallona xhinse, mbi të cilat vëreheshin disa njolla të kuqe si të gjakut si dhe një gjurmë papilare, ndërsa tek një dritare në anën jugore të xhamisë, u morën me cilësinë e provës një gjurmë papilare, këto gjurme dyshoheshin se mund të ishin lënë nga autori i veprës penale. Këto prova ju nënshtruan ekspertimeve daktiloskopike dhe biologjike, nga ku rezultoi pas verifikimeve, se ato i përkasin të pandehurit Arjan Alla.

Kthimi nga Greqia
I pandehuri Arjan Alla ishte kthyer nga Greqia rreth 12 orë para ngjarjes dhe gjatë paradites së dt 12 prill 2013 ka patur komunikuar me persona të ndryshëm banorë të fshatit Dushk. Komunikimet dhe sjellja e të dyshuarit Arjan Alla para ngjarjes ka qënë normale dhe se nuk kanë konstatuar shenja të ndonjë problemi mendor. Ndërsa nga deklarimet e shtetases M.B, rezulton se: Në mbremjë kishte shkuar në shtëpinë e saj i pandehuri Arjan Alla.

Kjo kohë përkon pikërisht me disa minuta pas ndodhjes së vrasjes në xhaminë e fshatit Dushk. Gjithashtu kjo shtetase shpjegon se teshat që kishte veshur, i pandehuri Arjan Alla i la aty ndërsa ajo i kishte dhënë disa tesha të tjera për të veshur, dhe më pas këto tesha i kishte dërguar në shtëpinë e të pandehurit Arjan Alla. Keto tesha i jane dorëzuar Of.Pol.Gjyqesore nga ana familja e tij dhe pasi janë kqyrur janë sekuestruar me cilësinë e provës materjale.


Shkrimi u publikua sot (28.01.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)