"Familja jonë nuk lidhje me krimin e kryer ndaj Brahim Manit, ne i kemi shtrirë dorën e pajtimit përpara 14 viteve". Kjo është deklarata e xhaxhait të Tarzan Prronit, i shpallur në kërkim nga policia e Shkodrës si i akuzuar për vrasjen e 50-vjeçarit Brahim Mani, ngjarje e ndodhur të mërkurën, 25 qershor. Prroni thotë se fisi i tij nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen në fjalë dhe se ato janë përfshirë padrejtësisht nga policia e Shkodrës ndërsa nipi i tij ndodhet në Firence të Italisë dhe ka 6 muaj që nuk ka ardhur në Shqipëri.

“Hera e fundit që djali ka ardhë në Shqipëri, është Janari ku ka qëndruar disa ditë në atdhe, e më pas është rikthyer në Itali”, ka thënë Skënder Prroni.

Familja deklaron se do ta ndjekë deri në fund këtë çështje, duke i cilësuar akuzat në drejtim të 26 vjeçarit si të padrejta. Në të njëjtën linjë janë edhe misionaret e pajtimit të gjaqeve të pranishëm në pajtimin përpara 14 viteve të cilët kanë sqaruar se në atë kohë është firmosur edhe deklarata e pajtimit me firmën e 12 burrave në mes dy familjeve. Tarzan Prroni jeton prej vitesh në Itali dhe të afërmit deklarojnë se janë të gatshëm të sjellin pamje filmike që të tregojnë se ai ka qenë atje ditën e krimit.