Vrasjet, KSHH: Shqiptarët
ndjejnë pasiguri  Farmacistja Eleni Basho varroset në Gjirokastë

Vrasjet, KSHH: Shqiptarët <br />ndjejnë pasiguri  Farmacistja Eleni Basho varroset në Gjirokastë
TIRANË – Një ditë pas vrasjes së dy femrave në Tiranë, por edhe pas shtimit të numrit të veprave penale të muajve të fundit, Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur shqetësim për situatën. Në një deklaratë shpërndarë mediave sot pasdite, KSHH shprehet se ka ndjekur me shqetësim rastet e krimeve me rrezikshmëri të theksuar shoqërore si vrasje, grabitje, vjedhje shtëpish të qytetarëve, sulmeve ndaj bankave, vënie tritoli në makina dhe banesa të ndodhura ditët e fundit, me një intesitet të lartë se zakonisht.
Ky komiteti ka renditur vrasjet dhe rastet e krimit në disa nga qytetet e Shqipërisë ku kanë ndodhur një seri veprash të rënda penale të cilat kanë cënuar të drejtën e jetës dhe të pasurisë së disa shtetasve. Sipas KSHH këto të dhëna flasin për një numër të lartë të veprave penale kundër jetës dhe pronës së shtetasve.
“Pavarësisht nga përpjekjet që janë bërë e po bëhen për zbulimin e krimeve dhe vënien para përgjegjësisë të autorëve, KSHH konstaton se masat për parandalimin e veprave penale të mësipërme nuk kanë qenë në nivelin e duhur. KSHH sjell në vëmendje të organeve përkatëse se për parandalimin e krimeve, është i nevojshëm bashkëpunimi më i mirë midis tyre, ndërsa nga organet e specializuara kërkohet zbulim, hetim dhe gjykim i shpejtë. Zvarritja në këtë drejtim ndikon negativisht në besimin e qytetarëve ndaj organeve të policisë dhe atyre të drejtësisë në përgjithësi si dhe krijon një situatë paisgurie për jetën, shëndetin dhe pasurinë e shtetasve”, thuhet në deklaratën për shtyp.
Sipas këtij komiteti shtetasit shqiptarë meritojnë të jetojnë të qetë në punë dhe në shtëpi si dhe tu ofrohet siguri në ambientet ku ata ndodhen. E drejta për jetën garantohet nga neni 21 i Kushtetutës dhe neni 2 i Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut. Shteti ka detyrimin pozitiv për të siguruar shtetasve brenda juridiksionit të tij garanci dhe mbrojtje efektive për gëzimin e kësaj të drejte.


HETIMET PËR DY VRASJET
Mbrëmje tragjike për Tiranën mund të quhet nata e së enjtes (2 shkurt) kur brenda pak orësh 2 femra, njëra 35 vjeçe dhe tjetra 25 vjeçe kanë gjetur vdekjen në dy ngjarje të ndryshme, nga plumba të qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Deri në orët e vona të mbrëmjes policia nuk kishte dhënë asnjë deklaratë në lidhje me vrasjet, autorët apo motivet, ndërkohë që brenda këtyre tre orëve ndodhen dhe dy krime të tjera.
Vetëm sot paradite nëpërmjet një njoftimi për shtyp, në orën 10:45, policia njofton se për vrasjet nuk ka ende asnjë autor.

Ora 16: 08 VRASJA E MEGIT, ZBULOHET PRONARI AUTOMJETIT TË BRAKTISUR
Vrasja e vajzes 24-vjecare nga Fieri Megi Jukici, dhe plagosja e 27-vjecarit nga Mati mbremjen e te enjtes ne Tirane, jane filmuar nga kamerat e sigurise te nje kompleksi tregtar tek Komuna e Parisit, aty ku edhe ndodhi ngjarja. policia e Tiranës ka gjetur pak metra larg vendit ku ndodhi vrasja automjetin e përdorur nga autori i ngjarjes. Policia ekzaminoi pronësinë e mjetit dhe menjëherë shoqëroi një person që lidhej me makinën. Ky person, i cili banon në Sauk, ka dëshmuar duke thënë se mjetin ia kishte shitur prej kohësh një shtetasi që ishte aksioner në një firmë ndërtimi.

Ora 12: 08 POLICIA NË MBLEDHJE URGJENTE, TË PRANISHËM DHE KULICAJ E VOCAJ
Një mbledhje urgjente po zhvillohet aktualisht në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës në lidhje me dy vrasjet e mbrëmshme që tronditën kryeqytetin, pasi 2 viktimat ishin vajza. Mësohet se i pranishëm në mbledhje është vetë drejtori i Krimeve të Rënda Tonin Vocaj dhe zv/Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Tiranës, Agron Kuliçaj, si dhe drejtues të tjerë të lartë të policisë

Ora 10: 50 VRASJA E FARMACISTES, SEKUESTROHEN DY GËZHOJA E NJE PREDHË
Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, policia e Tiranës informon se vrasja e Eleni Kostandin Bashos, 36 vjeçe është kryer mbrëmë rreth orës 18:20 minuta në Shkozë, pranë firmës ”Sina Beton”. Policia thotë se 36 vjeçarja e lindur në Gjrokastër dhe banuese në Shkozë Tiranë është qëlluar nga persona ende të paidentifikuar. Ndërkohë që në vendngjarje grupi hetimor dhe ekspert kriminalistë kanë mbledhur në cilësinë e provës materiale, dy gëzhoja me makerim PPU 380 Auto, një predhë dhe disa sende personale të viktimës. ”Punohet për identifikimin e kapjen e autorëve dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Në vijimësi do t’ju informojmë. Neni 76 i KP”- thuhet në njoftimin për shtyp.

VRASJA E MEGI JAKIÇIT, STOMATOLOGE, POLICIA JEP DETAJE TË PAKTA
Për vrasjen e Megi Millosh Jakiçit, 25 vjeç, me profesion stomatologe, policia jep vetëm pak detaje mbi vrasjen, ndërsa nuk thuhet asgjë nëse objektiv i këtij atentati ishte Aleksandër Gocaj. “Rreth orës 21.30, në rrugën “Komuna e Parisit”, është plagosur me armë zjarri shtetasia Megi Millosh Jakiçi, 25 vjeçe, e cila u dërgua në gjendje të rëndë në SQU dhe rreth orës 23.50, ka gjetur vdekjen. Në vendngjarje është plagosur në dorë edhe shtetasi Aleksandër Gocaj, 27 vjeç, i cili ndodhet në SQU, jashtë rrezikut për jetën. Aktualisht po punohet per identifikimin e kapjen e autorit si dhe sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes në bashkëpunim me Prokurorinë. Në vijimësi do t’ju informojmë.”- thuhet në njoftimin për shtyp të policisë.

VRASJET MBREMJEN E SE ENJTES, 2 SHKURT 2012

ORA 18:40, VRITET ELENI BASHO
Eleni Basho, 35 vjeçe me profesion farmaciste, e martuar dhe nënë e një fëmije është ekzekutuar me një plumb pistoletë në zonën e Shkozës në Tiranë, duke ikur në banesën e saj. Eleni Basho dyshohet se është qëlluar në një distancë të afërt, ndërsa autori, ose autorët kanë lëvizur në këmbë duke u fshehur në errësirën e zonës përreth për t'i shpëtuar forcave të policisë. I shoqi ishte në punë në momentin e vrasjes tragjike. Janë të pakët dëshmitarët nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që mbetën të paqarta pistat e dyshimeve rreth motiveve që shtynë autorin deri në ekzekutimin e një femre.


Ora 21: 30 ATENTAT ALEKSANDER GOCAJT, VRITET MEGI JAKIÇI
Dy persona kanë mbetur të plagosur, si rezultat i një atentati mafioz ndaj shtetasit 37-vjeçar Aleksandër Gocaj që njihet ndryshe edhe me emrin Armend Gocaj te “Komuna e Parisin". Siç mësohet nga burime pranë policisë, Gocaj ka qënë në shenjestër të autorëve të krimit, por nga shkëmbimi i zjarit ka mbetur e plagosur rëndë Megi Jakiçi. 25 vjeçarja ka qenë në makinë, Benz A Class me targa të Tiranës 3134 R, së bashku me të fejuarin e saj kur plumbi, ( me objektiv vrasjen e Aleksandër Gocajt) ka përshkuar xhamin e përparmë të makinës dhe e ka qëlluar në nofull, ndërkohë Aleksandër Gocaj ka marrë një plumb në dorë.

Mediat kanë publikuar sot se autorët kanë hipur në një fuoristradë Toyota me targa të Tiranës 6116 U. Teksa largoheshin me shpejtësi në rrugën Komuna e Parisit për në drejtim të Unazës, fuoristrada është përplasur me dy automjete të tjera. Më pas autorët kanë braktisur mjetin dhe janë larguar. Shërbimet e Komisariatit numër 2 të Policisë së Tiranës janë vënë në ndjekje të autorëve, por deri në orët e mbrëmjes nuk raportohej të ishte kapur ndonjë prej të dyshuarve.
Aleksandër Goçaj ishte personi që po kalonte në anë të makinës ku ishte dhe çifti. Autori ka dashur t'i zërë pritë për ta vrarë dhe ka nxjerrë armën e zjarri tip pistoletë duke qëlluar 5 herë në drejtim të tij. Gjatë shkrepjes një prej plumbave ka prekur dhe 24 vjeçaren Megi Jakiçi. Vajza mori plagë serioze në pjesën e nofullës ndërsa i fejuari i saj fatmirësisht ka shpëtuar pa u prekur nga plumbat. Megi nuk ka arritur të mbijetojë edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale, që zgjati 3 orë. Ajo dha shpirt rreth orës 00.15. Ndërkohë që për sa i përket të plagosurit tjetër, Aleksandër Gocaj mjekët thanë se ai ndodhet jashtë rezikut për jetën.

KUSH ESHTE ALEKSANDER GOCAJ
Gocaj, njihet në dosjet e policisë si person me precedentë penalë, kryesisht në trafikun e lëndëve narkotike. Dyshimet e para të policisë flasin për atentat për motive hakmarrje, ndërkohë që sipas tyre është ende herët për të folur mbi emrin e personit që ka qëlluar.Gjithashtu ai njihet dhe si një nga anëtarët e një grupi kriminal që ka vepruar në zonën e Burrelit si dhe si shok i ish-oficerit e policisë Halit Dedja i ekzekutuar në mënyrë mafioze në muajin dhjetor 2010 tek uzina "Enver". Dyshimet e para të policisë flasin për atentat për motive hakmarrje, ndërkohë që sipas tyre është ende herët për të folur mbi emrin e personit që ka qëlluar.

KRIME TE TJERA TE MBREMJES

ORA 21 : 15 GRABITET PIKA E KARBURANTIT
Në autostradën Tiranë-Durrës grabitet një pikë karburanti, policia s’jep ende të dhëna për autorët apo shumën e grabitur.

ORA 22: 12 PLAGOSJE ME THIKE TE TKOB
Me shumë pak minuta diferencë nga krimi i ndodhur në "Komuna e Parisit" salla operative e policisë mer një telefonatë, ku njoftohet se një vrasje kishte ndodhur afër Pallatit të Kulturës. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë shkuar oficerët e krimeve të rënda, ku nga verifikimet e bëra kanë mundur të identifikojnë si autor shtetasin Fatmir Godole, por pa mundur ta arrestojnë. Nga të dhënat e policisë në këtë ngjarje bëhet fjalë për një tentativë grabitje, ku si rezultat i kësaj Godole ka qëlluar me thikë disa herë një 28-vjeçar, emri i të cilin nuk u identifikua deri në mesnatën e djeshme. I plagosuri është përcjellë me shpejtësi në spital, ku dhe i është nënshtruar ndërhyrjes kirurgjika të mjekëve. Si rezultat i disa plagëve të mara, bluzat e bardha thanë se gjëndja shëndetësore e tij është e rëndë. Krimet kanë mobilizuar të gjithë sektorin e vrasjeve në polici dhe në prokurorinë e Tiranës, duke kryer në kohë një sërë veprimesh hetimore në vendin e ngjarjes me qëllim administrimin në dosje të provave materiale për scilën nga rastet.


(aq/sg/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi

Hamasi-Izraeli fajësojnë njëri-tjetrin për mosarritjen e një marrëveshjeje armëpushimi