Vrasjet në Shkup,SHBA: Ruani
qetësinë dhe mos paragjykoni

Vrasjet në Shkup,SHBA: Ruani <br />qetësinë dhe mos paragjykoni
SHKUP - Ka reaguar ambasada amerikane në Shkup, pas gjetjes së pesë trupave pa jetë në afërsi të kryeqytetit maqedonas, duke kërkuar ruajtje të qetësisë dhe përmbajtje nga spekulimet dhe pohimet e pavërtetuara.

“Jemi në dijeni se autoritetet kanë filluar hetime për incidentin dhe gjetjen e autorit apo autorëve të kësaj vepre të tmerrshme. Mbështesim përpjekjet e Ministrisë së Punëve të Brendshme për të vazhduar hetimin dhe procedurat ligjore në kohë të duhur. Gjithashtu mbështesim kërkesën për bashkëpunim nga qytetarët në mënyrë që të mblidhen të gjitha të dhënat për vrasjet”, thuhet në njoftimin e Ambasadës e SHBA në Shkup.
Trupat e 5 personave të kombësisë maqedonase u gjetën pa jetë dje mbrëmë në afërsi të një liqeni artificial në fshatin Smillkovë, pranë Shkupit.

Ngjarja tragjike ka qenë temë bisede që dje në një takim mes ambasadorit Poll Uollers dhe kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti.

“Bashkëbiseduesit ranë dakord se institucionet e vendit duhet të jenë aktive edhe në menaxhimin e situatës, por edhe në hetimin dhe zbardhjen e menjëhershme të krimit. Qytetarët, mediat dhe të gjithë opinionbërësit gjithashtu duhet të japin kontributin e tyre, duke mos paragjykuar motivet për këtë krim”, u tha në deklaratën e BDI pas takimit Uollers-Ahmeti.

Ndërkohë, pasditen e sotme, presidenti Ivanov ka bërë thirrje për qetësi, arsye dhe përgjegjësi.

Incidenti është dënuar edhe nga Partia Demokratike Shqiptare, e cila ka apeluar te të gjithë qytetarët që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos bien pre e spekulimeve dhe provokimeve të ndryshme.

BE: VETEPERMBAJTJE
Delegacioni i BE në Maqedoni ka shprehur ngushëllime për familjet e viktimave. “Jemi njoftuar se MPB po bën hetime të detajuara, ndaj i bëjmë thirrje të gjitha palëve të rrinë të qetë dhe të përmbajtur dhe t'i japin hapësirën e nevojshme autoriteteve për të gjetur dhe nxjerrë para drejtësisë autorët e këtij akti”, thuhet në një njoftim për shtyp.

30 TE NDALUAR
Ministria e Brendshme ka njoftuar sot se janë marrë në pyetje mbi 30 persona në përpjekje për të zbardhur ngjarjen. Nuk është bërë e ditur se e të cilës etnije janë personat e ndaluar. Zëdhënësi i Policisë, Ivo Kotevski, njoftoi se ministria ka formuar një shtab operativ për zbardhjen e vrasjes së pesëfishtë por ai kërkoi edhe ndihmën e qytetarëve. “Nëse dikush ka ndonjë informacion rreth rastit, në interes të hetimeve, ta paraqesë atë në polici”, tha zëdhënësi.

INCIDENTET
Në rrugët e Butelit dhe Radishanit që çojnë drejt vendbanimeve të shqiptarëve vihen re forca të shumta policore. Banorët maqedonas të revoltuar kanë bllokuar rrugët në disa vende. Disa automjete janë dëmtuar ndërsa disa shtëpi janëë sulmuar me gurë. Shqiptarët që jetojnë në këto zona kanë kërkuar që policia t’i marrë në mbrojtje.

(ep/im/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si ju duket turizmi këtë sezon, krahasuar me një vit më parë?



×

Lajmi i fundit

Qëlloi me shpullë të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato

Qëlloi me shpullë të riun në Thumanë, pezullohet nga detyra drejtori i Rrugores Altin Qato