Gjykata e Shkallës së Parë të Elbasanit ka shpallur dënimin përfundimtar me 25 vite për Damiano Toshin, i akuzuar për vrasjen e 2 basketbollistëve të ekipit ‘Skënderbeu’ në Korçë, në vitin 2004 dhe plagosjen e Julian Beckës.
Damiano Toshi, një nga emrat e njohur të bandës së “Çobenjve”, ka arritur kështu që t’i shpëtojë dënimit me burgim të përjetshëm dhe pritet të lërë sëshpejti qelinë pas këtij vendimi të Gjykatës.
Siç mësohet nga gjykata, ulja e dënimit erdhi pasi u pranua kërkesa për gjykim të shkurtuar, ç’ka i hoqi dënimin me burgim të përjetshëm të dhënë më herët. Trupa gjykuese që mori vendimin drejtohej nga Elis Dine. Pjesë e treshes së trupës gjykuese ishin edhe gjyqtarët Bojken Bendo dhe Megi Stfakosha.
Toshi u shpall fajtor për vrasjen e dy basketbollistëve të ekipit të “Skënderbeut”, Sokol Jahollari dhe Rafael Rizani, si edhe për plagosjen e Julian Beckës.
Krimi ndodhi më 3 shtator 2004, pranë Pallatit të Sportit në Korçë, dhe konsiderohet një nga ngjarjet më të rënda kriminale të asaj periudhe.
Vendimi i Gjykatës së Elbasanit erdhi pas rigjykimit të çështjes, të urdhëruar nga Gjykata e Lartë. Kjo e fundit kishte prishur vendimin që e dënonte Toshin me burgim të përjetshëm dhe kishte kthyer dosjen për shqyrtim nga e para.
Por çështja pritet të vazhdojë, pasi Prokuroria e Elbasanit ka paralajmëruar se do të ankimojë vendimin.
Komente









