TIRANË- Gjykata e Lartë ka lënë në fuqi dënimin, burg përjetë për Sokol Mjacajn, i cili vrau dy turistët çekë në vitin 2015. Gjykata e Lartë la në fuqi vendimin e Gjykatës së Apelit të Shkodër, të dhënë në vitin 2018. Mjacajn ka kërkuar gjykim të shkurtuar por gjykata nuk e ka pranuar.

Mjacaj ka vrarë dy turistët çekë, Michal Svatos dhe Anna Kusinova, më 3 korrik 2015 në fshatin Prekal të Dukagjinit. Mjacaj i grabiti dy të rinjtë e më pas i ekzekutoi me armë zjarri në automjetin e tyre. Pas kryerjes së krimit Mjacaj është larguar nga vendngjarja dhe është ulur në një kafene të fshatit dhe më pas ka porositur kafe. Ai i ka thënë kamerierit të lokalit se kishte një aparat fotografik për të shitur për 5000 lekë. Kamerieri ka këmbëngulur se nuk e blen me atë çmim pasi aparati ishte i thyer dhe i shitur. Ai ka dhënë vetëm 500 lekë Mjacajt, më pas ky i fundit është larguar në drejtim të paditur.

Kamerieri pasi ka ndezur aparatin fotografik ka parë fotot e dy turistëve të vrarë dhe ka njoftuar policinë. Kjo ngjarje e ndodhur në vitin 2015 bëri bujë edhe në mediat e huaja, duke dëmtuar imazhin e vendit dhe turizmin për zonën.