Andon Janaqi 36 vjeç dhe Anjeza Zeneli 30 vjeçe, janë gjetur të vdekur në apartamentin e tyre në Rue Général-Paulet në Brest të Francës. Të dy janë gjetur të qëlluar me armë zjarri, pushkë, ndërsa policia dyshon se ka qenë bashkëshorti, i cili fillimisht ka qëlluar për vdekje gruan e tij dhe më pas veten.

Nëna e Andonit, Floresha dhe e motra kanë kërkuar ndihmë publikisht për të marrë trupin e pajetë të Andonit në Shqipëri pasi nuk kanë mundësi financiare për ta tërhequr vetë. Të pyetura për shkaqet që çuan Andonit të ndërmarrë këtë akt ekstrem dhe të lërë pas 2 fëmijë jetim, e ëma thotë se nuk ka dijeni, por se dinte vetëm që i biri prej disa kohësh vuante nga ankthi.

Floresha tregon se që pas vrasjes, nuk kanë pasur komunikim me familjarët e nuses si dhe nuk ka dijeni se çfarë do të ndodhë me dy fëmijët e mitur.

"Dua ndihmë nga juve të më sillni djalin këtu, skam lek të iki në Francë të marr djalin, dua të më sillni trupin e djalit këtu. Jam fukara me 20 mijë lekë rrogë, çfarë të bëj unë korba.

Kishin 4 vite në Francë, ishin mirë e bukur, me shpi, me karta, me të gjitha, nuk kishin mosmarëveshje në çift.

Hera e fundit që fola ishte dje, në orën 14:30, fola si për herë të fundit me djalin. Mami jam i mërzitur më tha, do ta kalosh i thashë… Nuk e di përse ishte i mërzitur se ja mori telefonin djali i madh. Më tha ik mami se ma kërkon telefonin djali.

Nuk kam komunikim me familjarët e nuses pas kësaj që ndodhi. Që kur u bë vrasja nuk më flasin më. Për fëmijët nuk e di a ka folur familja e nuses dhe se di çkanë diskutuar për fëmijët. Jam përpjekur të flas por me thonë "nuk ke turp që na flet?".

Ai vrau dhe veten e tij, dhe nusen. Mbrëmë më tha nusja e djalit tjetër që kam në Greqi "hape telefonin me patjetër". E hapa, më tha "mblidh mendjen se Andoni ka vrarë veten dhe nusen". Nusen e lajmëroi një komshi shqiptar i Andonit," tha Floresha.

E motra tregon dhe telefonatën e fundit me të vëllain, i cili i kishte shprehur se ishte i mërzitur. Ajo thotë se dëshiron që dhe fëmijët t’i marrin në Shqipëri dhe jo shteti atje.

“Unë dua që vëllain ta sjellin këtu, se nuk kemi kushte, se mamaja nuk ka me një rrogë lan borxhet, s’ka ç’bën vetë. Dua vetëm vëllain ta sjellin këtu, nuk duam gjë tjetër.

Me vëllain folëm dje, më tha që mirë jam po dal një xhiro se jam shumë i stresuar. Kishte si ankth, trembje, kaq më tha. Flasim më vonë më tha dhe nuk më telefonoi. I telefonova 2-3 herë nuk ma hapi më. Sot e morra vesh, më erdhën më thanë vdiq vëllai të bëheni të fortë, kaq më thanë mua. Nuk dinim që kishte konflikte, sa herë që flisnim thoshte mirë jemi, ti mos ki merak, kaq folëm dhe nuk më mori më në telefon. Kanë dy fëmijë. Thonë që fëmijët do t’i marri shteti, ne duam që fëmijët ti marrim këtu, i duam një ne dhe një nga gjyshja tjetër. I kemi plagë në zemër fëmijët. Fëmijët janë 9 vjeç dhe 3 vjeç. Nuk kemi folur dhe nuk duam të flasim me familjarët e nuses”, tha e motra e Andonit.


Lajmi kryesor:

Shqiptari vret gruan dhe më pas veten në Francë, familjarët kërkojnë ndihmë për kthimin e trupit në atdhe! 36-vjeçari vuante nga ankthi (EMRAT)