KOSOVË- Binak Gjergjaj është gjetur i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Pejë, pasi vuante dënimin për vrasjen e gruas së tij, Afërdita Gjergjaj në vitin 2001 në Amerikë.

Lajmi është konfirmuar për mediat në Kosovë nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi i cili ka thënë se personi dyshohet se është varur dhe ka pasur kërkesë për ekstradim nga SHBA, pasi vrau ish-gruan në Michigan.

 “Në qendrën e paraburgimit në Pejë, një i paraburgosur dyshohet se është vetvarur. Viktima ka qenë nën masën e paraburgimit, lidhur me kërkesën për ekstradim në SHBA”, ka thënë ai. Mësohet se Policia e Kosovës po e cilëson rastin si vdekje të dyshimtë dhe  është raportuar sot pas orës 07:00 të mëngjesit, pasi ai u gjet i varur në banjon e dhomws ku ishin edhe tre të burgosur te tjerë.

Aferdita Gjergjaj, ish-bashkëshortja e Binak Gjergjajt, u zhduk më 26 shkurt të 2001, pasi ishte takuar me Binak Gjergjajn në Auburn Hills të Michiganit për të diskutuar një çështje të kujdestarisë që përfshinte fëmijët e çiftit. Makina e Gjergjajt ishte gjetur në natën e 27 Shkurtit 2001 në parkingun e kinemasë së Auburn Hills dhe  telefoni i saj,  çanta dhe disa fatura ishin në makinë. Ajo ishte divorcuar dy vite para se të ndërronte jetë.

Autoritetet amerikane deklaruan se  Afërdita ishte vrarë nga ish-bashkëshorti i saj Binak Gjergjaj i cili është i dyshuari kryesor në vdekjen e saj.  Afërdita është shpallur e vdekur, por trupi i saj nuk është gjetur dhe çështja e saj mbetet ende e pazgjidhur edhe në ditët e sotme.