Është vetëdorëzuar në prokurori Kamer Sulçaj 48 vjeç, i dyshuar si vrasësi i italianit Edoardo Sarchi në Salari të Tepelenës. Sulçaj është dorëzuar 20 ditë pas ngjarjes.

Nuk dihet nëse Sulçaj e ka pranuar apo jo autorësinë e vrasjes. Por, nga deklarimi i parë sapo është vetëdorëzuar mësohet të ketë thënë "Quhem Kamber Sulçaj, rezultoj i kërkuar nga shteti". Sapo është dorëzuar, Sulçaj ka marrë menjëherë kontakt me prokuroren e çështjes Blerina Musabelli. Sulçaj i është dorëzuar Policisë së Gjirokastrës ku do të qëndrojnë në paraburgim deri në caktimin e masës së sigurisë nga Gjykata.

Ai gjithashtu ka dorëzuar amrmën me të cilën dyshohet se ka kryer krimin si dhe lejen që dispononte. Sipas burimeve pwr Report Tv, ai nuk ka pranuar të japë deklarime për policinë lidhur me rrethanat apo motivet e krimit. "Nuk do të jap asnjë shpjegim sot por në një fazë të mëvonshme dhe në prezencë të avokatit".

“Vetëdorëzohet shtetasi K. S., autor i dyshuar i vrasjes për motive të dobëta, të shtetasit italian, E. S., trupi i pajetë i të cilit u gjet në vendin e quajtur "Qafa e Dilanit", pas mesnatës së datës 26.09.2025.

Shtetasi K. S. gjithashtu dorëzoi armën e gjahut (me vjaska), me të cilën dyshohet se kreu krimin, si dhe lejen që kishte për posedimin e saj.

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Gjirokastër kryen veprimet procedurale për ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, caktuar nga Gjykata e Gjirokastrës, në mungesë, për shtetasin K. S., 48 vjeç, banues në fshatin Mesaplik, Vlorë, i akuzuar për veprat penale "Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në mënyrë të rrezikshme për jetën e shumë personave, "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Nga hetimet dyshohet se shtetasi K. S. ka qëlluar me armë gjahu me vjaska, në drejtim të shtetasit E. S., shtetasve që shoqëronin këtë të fundit dhe automjeteve të tyre, në aksin “Nivicë-Salari”, ku si pasojë e të shtënave, humbi jetën shtetasi E. S.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Gjirokastrës, për veprime të mëtejshme”, njofton policia.

Ngjarja ka ndodhur mesnatën e 27 shtatorit teksa Edoardo Sarchi ndodhej në shtëpinë e pushimit të mikut të tij në Salari, Eqerem Braçit. Këta u nisën për t’i ardhur në ndihmë dy djemve të Braçit, Gazmend dhe Daniel, të cilët pasi kishin dalë për gjueti, makina i kishte lënë në mes të rrugës.

Gjatë rrugës ata u përballën me një automjet që drejtohej nga Kamber Sulçaj, i cili kishte ndezur dritat e gjata. Aty mendohet të ketë nisur një debat që i ka nxjerrë palët nga makinat e tyre, pasi dritat e gjata nuk po fikeshin duke penguar shikimin.

Sulçaj nuk e ka lënë me kaq dhe duke i ndjekur nga pas teksa italiani dhe miku i tij po i shkonin në ndihmë djemve që kishin dalë për gjueti, ka qëlluar me armë gjahu në drejtim të makinave të ndaluara. Një plumb rikoshet me asfaltin, kapi në arterien kryesore në këmbë, dhe la të pajetë Edoardo Sarchin, i cili mendohet se fshihej pas makinës.

Kamber Sulçaj u pikas nga policia pas këqyrjes së kamerave të sigurisë në zonë. Pas vrasjes, Sulçaj u afrua në një zonë të thellë malore midis fshatrave Nivicë dhe Bolenë. Automjeti i autorit dhe veshjet e asaj nate, janë gjetur së bashku me automjetin e braktisur pranë një stani. Aty gjithashtu u gjet një çantë me 2 dylbi (termik dhe me rreze infra), 1 elektrik dore dhe 1 mbajtëse arme.

Kush është Kamber Sulçaj:

Kamber Sulçaj rezulton që të jetë aksioner në një gurore në Brataj të Selenicës në Vlorë, të quajtur ‘Stone Quramenga”.

Në këtë gurore është aksioner me 25%, së bashku me babain e tij Delo Sulçaj i cili ka 20% të aksioneve dhe vëllain Akil alias Ermal Sulçaj me 15% të aksioneve. Në këtë gurore janë aksionerë edhe dy persona të tjerë, të cilët nuk kanë lidhje me familjen Sulçaj. Përpos aksioneve në gurore, Kamber Sulçaj posedon edhe një stan me bagëti.

Ndërkohë, në maj të vitit 2021, në Vlorë u arrestuan vëllai tjetër i Kamber Sulçajt, Gazmendi, së bashku me një kushëri të tyre Roel Sulçajn. Këta të dy u kapën me 2632 fara kanabisi të cilat do t’i shisnin me qëllim kultivimin.

Lajmi në përditësim…