POGRADEC - Gjykata e Pogradecit ka dhënë masën e sigurisë “Burg pa afat”, për 27 vjeçarin Çelnik Meleqi, i cili akuzohet për vrasjen e 24 vjeçares Fatjona Sula nga fshati Orenj i Librazhdit.

Gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore, 27 vjeçari para trupit gjykues ka pranuar edhe njëherë autorësinë e krimit, duke shprehur pendesë. Meleqi ka deklaruar se e ka vrarë 24 vjeçaren nën efektin e alkolit.

Sipas dëshmisë dhënë para grupit hetimor, Fatjona Sula me të cilën kishte lidhje prej dy vjetësh nuk ka pranuar t’i kthejë borxhin që i kishte prej 1.2 milion lekë të vjetra, përkundrazi i ka kërkuar dhe lekë të tjera.

Ngjarja e rëndë u regjistrua mbrëmjen e 11 shtatorit, ku sipas rrëfimit të vetë Meleqit ai e kishte marrë Fatjonën në lokalin ku ajo punonte në Prrenjas dhe më pas të dy kishin shkuar tek ura 100 m poshtë doganës së Qafë Thanës.

Trupi i pajetë i 24 vjeçares u gjet nga një bari i zonës, i cili më pas lajmëroi dhe uniformat blu të qytetit. Ky ishte fati i Fatjola Sulës, 24 vjeç, nënë e 2 fëmijëve të mitur, të cilët jetonin me gjyshërit në një fshat te Librazhdit, pasi babai i tyre ishte divorcuar dhe martuar në Kosovë.

(da.is/Gre.M/Shqiptarja.com)