Gjykata e Tiranës ka lënë në burg Gazment Buçpapaj, autorin e vrasjes së Egli Pashollarit në zonën e ish-Parkut në Tiranë, në 20 shkurt.

Avokati i tij mbrojtës Sokol Hyseni teksa i ka kërkuar falje familjes së të ndjerit në emër të autorit, tha se i pandehuri duhet të lihej në një masë më të lehtë sigurie me pretendimin që është vetëdorëzuar në polici dhe nuk paraqet rrezik.

Një ditë më parë teksa u mor në pyetje, autori dëshmoi se vrasjen e kishte kryer në kushtet e vetëmbrojtjes.

"Gjeta rrugën të bllokuar, i rashë borisë, por viktima më shau nga makina. Aty u zumë me grushte dhe në kushtet e vetëmbrojtjes e godita me thikë", dëshmoi ai.

Gazment Buçpapaj u arrestua para dy ditësh në Tropojë teksa ishte i fshehur në një banesë në Tropojë, ku po mbahej nën mbikëqyrje nga policia.

Egli Pashollari u godit disa herë me thikë pak pas orës 15:00 nga Gazment Buçpapaj, por njëra prej tyre rezultoi fatale, në pjesën poshtë shpatullës, te e cila humbi sasi të madhe gjaku. 31-vjeçari u dërgua në spital nga dëshmitarë në vendngjarje, por mbërriti pa shenja jete. Ndërkohë autori pas ngjarjes u arratis dhe u strehua tek disa të afërm të tij në Tropojë.