Është arrestuar nga policia Land (Puja) Deraj 48-vjeçari i cili ditën e djeshme vrau me thikë në Kavajë 48-vjeçarin Skerdilajd Isufi gjatë konfliktit për një vend parkimi. Policia njofton se kja arritur të gjejë dhe sekuestrojë në cilësinë e provës materiale edhe thikën që u përdor për vrasjen e Skerdilajd Isufit.

“Më ofendoi, prandaj e qëllova”. Kështu e ka nisur dëshminë e tij para oficerëve të Krimeve të Rënda autori.Teksa ka deklaruar se shkak për konfliktin ishte bërë një vend parkimi, Puja ka theksuar se situata doli jashtë kontrollit pikërisht kur Skerdilajd Isufi e ka ofenduar.

“Erdhi dhe parkoi makinën para shtëpisë time. Dola dhe i kërkova ta lëvizte makinën, pasi nuk mund të kaloja dot për t’u futur në shtëpi. ‘Nuk dua ta lëviz makinën’, më tha, ‘po ik futu brenda se e di çfarë të bëj, apo jo?!’ Këtu filloi gjithçka. ‘Kush je ti, kush jam unë?!’ Pastaj nisi të shante para familjes time. Nuk durova dot, shkova brenda në shtëpi dhe mora thikën. Kur më pa me thikë në dorë, më sulmoi. Në këtë moment unë e qëllova dy herë në pjesën e gjoksit. E pashë që ra në tokë. Aty më kapi paniku dhe u largova. Sigurisht që në momentin e parë u pendova, por hataja ishte bërë. Nga frika u fsheha deri në momentin që më gjetët. Më vjen shumë keq, nuk doja që të përfundonte kështu, por m’u errësuan sytë dhe nuk e kontrollova dot veten”, – kështu është shprehur ndër të tjera Landi Puja gjatë marrjes në pyetje nga agjentët e krimeve.

Njoftimi i plotë i policisë: 

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Kavajë, Forcat e Posaçme “Shqiponjat” dhe Forcat Operacionale të DVP Durrës, pas disa orësh kërkimesh e kontrollesh për kapjen e autorit të vrasjes me mjet prerës të 48-vjeçarit, bënë të mundur lokalizimin, kapjen dhe arrestimin e shtetasit:
L. D., alias L. P., 48 vjeç, banues në lagjen nr. 3, Kavajë.

Ky shtetas dyshohet se më datë 21.02.2026, rreth orës 14:22, në lagjen nr. 3, Kavajë, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka goditur disa herë me mjet prerës (thikë) shtetasin S. V., alias S. I., 48 vjeç, i cili si pasojë e plagëve të marra humbi jetën.

Autori i dyshuar, pas goditjes me mjet prerës, u largua nga banesa, por u kap pas disa orësh kërkimesh dhe kontrollesh nga shërbimet e Policisë.

Gjithashtu, gjatë veprimeve të para hetimore dhe kërkimeve për gjetjen e provave materiale, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale mjetin prerës (thikë), me të cilin dyshohet se autori goditi, me pasojë humbjen e jetës së 48-vjeçarit S. V., alias S. I.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të rastit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.