TIRANË - 14 vjeçari, i cili goditi me thike për vdekje bashkëmoshatarin e tij, Martin Cani do të dalë para gjykatës për tu vlerësuar me masën e sigurisë të premten në orën 9.30.

Që prej ditës së ngjarjes ai ndodhet në një spital privat në kryeqytet ku po merr mjekim për shkak të plagës që ka marrë në dorë.

Ndryshe nga referimi policisë për ngjarjen ku e akuzoi të miturin  për vrasje me dashje organi i akuzës e ka riklasifikuar krimin,  duke kërkuar në gjykatë masën “arrest me burg për akuzën  e "vrasjes në rrethana cilësuese ndaj të miturit ", si edhe "mbajtje pa leje të armëve të ftohta".

Për këtë akuzë Kodi Penal parashikon minimalisht 20 vite burg deri në dënim maksimal burgim të përjetshëm. Por në raste kur autorët janë të mitur parashikohet përgjysmimi i dënimit, ndërsa përjashtohen nga burgu i përjetshëm.

Pra minimumi i dënimit për autorin është 10 vite burgim. Para oficerëve të policisë, adoleshenti tha se thikën nuk e kishte me vete brenda ambientit të shkollës dhe se pas krimit e fshehu në një vend aty pranë por nuk tregoi ekzaktësht ku.

Burime nga grupi hetimor thanë se autori nuk ka shfaqur pendesë për krimin e kryer, por gjatë dhënies së dëshmisë është shfaqur i trembur.

Ngjarja e rëndë ndodhi të hënën e 18 nëntorit në pranë shkollës 9-vjeçare 'Fan Noli' ku viktima dhe autori janë nxënës dhe sherri dyshohet se nisi për një sharje banale mes tyre.