Është ekstraduar nga Gjermania Florind Shabani, i dyshuar si pjesëmarrës  në vrasjen e bujshme të vitit 2009 të ish-oficerit të krimeve, Roland Rexhepi i njohur si 'Doda' Shabani është arrestuar shtatorin e kaluar dhe është raportuar se me shumë mundësi ai do të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë me qëllim zbardhjen e ngjarjeve të renda kriminale që kanë ndodhur në qytetin e Elbasanit.Shqiptarja.com ka mësuar se në procedurën e marrjes në pyetje Shabanit do t'i propozohet që të bëhet bashkëpunëtor i drejtësisë. Ndërkohë që më parë një propozim i tillë i janë bërë edhe 2 të përfshirëve të tjerë në vrasjen e ish-oficerit të anti drogës por nuk kanë pranuar. 

"Specialistët e Interpol Tiranës bënë ekstradimin nga Gjermania drejt Shqipërisë, të shtetasit shqiptar F. Sh., 40 vjeç. Ky shtetas është arrestuar nga autoritetet policore në Gjermani, falë shkëmbimit të informacionit mes Interpol Tiranës dhe autoriteteve policore gjermane. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan, në shtator të vitit 2021, i ka caktuar këtij shtetasi masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Shtetasi F. Sh., në datën 22.07.2009, në lagjen "Vullnetari" Elbasan, në bashkëpunim me persona të tjerë, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri shtetasin R. R", ka njoftuar sot policia. 

Kujtojmë se në vitin 2009 u ekzekutua në Elbasan Roland Rexhepi, i njohur si "Doda" ish-agjent i antidrogës, i cili njihej si krahu i djathtë i ish-komisar Koseni, u ekzekutua me armë zjarri në prag të shtëpisë së tij. 2 vite më pas u vra vëllai i 'Dodës' Ilir Rexhepi, biznesmen i njohur në qytetin e Elbasanit.  

Kjo vrasje është një ndër ngjarjet e bujshme që ka nisur sagën e tmerrshme të vrasjeve në Elbasan në 2 dekadat e fundit. Për vrasjen e Roland Rexhepit janë dënuar Marjus Tafa dhe Armando Llakaj, të burgosur përkatësisht me 23 dhe 24 vite burgim.

1641993764_1641975669shabanidherexhepi.jpg

I ekstraduari Florind Shabani dhe viktima Roland Rexhepi