TIRANE-Vrasja e gjyqtares Fildeze Hafizi nga ish-burri në datë 31 gusht 2017 brenda makinës tronditi opinionin publik. Aktualisht ish-bashkëshorti i gjyqtares Fildez Hafizi, Fadil Kasemi po gjykohet nga Gjykata e Krimeve të Rënda, ndërsa gazetari i Report Tv Elton Qyno zbardh dëshmitë e dy policëve që ‘çarmatosën’ Fadil Kasemin vetëm pak minuta pas vrasjes së Fildeze Hafizit.
Ata kanë dëshmuar sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda. Dashnor Murataj dhe Nazmi Kosta dy inspektorë të patrullës së përgjithshme treguan në gjyq momentin e ‘çarmatosjes’. Sipas dy policëve një person kishte shkuar tek dera hyrëse e komisariatit nr. 1 dhe është shfaqur me një pistoletë në dorë.
Ky moment ka ndodhur vetëm pak minuta pasi policët kishin përfunduar instruktazhin. ‘Personi i armatosur mbante një pistoletë në dorë dhe një karikator’. Ai u ka thënë policëve Murataj dhe Kostës se kishte vrarë një person tek Xhamlliku dhe pas këtyre fjalëve i ka zgjatur Muratajt dorën që mbante pistoletën dhe karikatorin duke ja dhënë policit. Më pas është shoqëruar në ambientet e brendshme të policisë dhe aty ka treguar se kishte vrarë ish gruan e tij Fildeze Hafizi.
Në seancën e fundit në datë 6 shtator, mbrojtja ka kërkuar riekspertimin e gjendjes psikike të Kasemit, pasi sipas tyre ka qenë i shtruar në spital. Avokati i tij Ilia Ilia, kërkoi gjykim të shkurtuar për klientin e tij, ndërsa gjykata e rrëzoi. Kjo ishte hera e dytë që Kasemi bënte një kërkesë të tillë, pasi herën e parë iu refuzua. Nëse do të pranohej kërkesa atëherë ai do të shmangte burgun për jetë. Por me ndryshimet e fundit, krimi në familjet përjashtohet nga gjykimi i shkurtuar.