Xhovan Papaj, 25 vjeç u qëllua për vdekje nga disa persona pas një sherri në Britani të Madhe pak ditë më parë. Dy persona akuzohen si autorë të vrasjes, ndërsa janë akuzuar si bashkëpunëtorë edhe tre të tjerë. 25-vjeçari shqiptar u qëllua për vdekje mëngjesin e së shtunës në Kent, më 4 dhjetor.
Sipas autoriteteve britanike, ai kishte plagë të shumta në trup. Lidhur me ngjarjen, janë njoftuar të afërmit e viktimës ndërsa në rrjete sociale ka pasur mesazhe ngushëlluese për Papajn.
Të akuzuar për vrasjen e shqiptarit janë dy të rinj, Ciaran Stewart, 18 vjeç, dhe një djalë 17-vjeçar nga Ilford. Dje, oficerët e policisë akuzuan gjithashtu Donte Simpson-Palmer, 18 vjeç, Mohammed Miah, 25 vjeç dhe Nathan Turner, 28 vjeç, si bashkëpunëtorë dhe për ngritjen e një plani për të kryer grabitje.
Turner u akuzua për shitje të lëndëve narkotike. Sakaq, vijojnë hetimet nga autoritetet vendase për ngjarjen e rëndë.