Vuçiç: BE të na japë fonde 
ndryshe i realizojnë vetë projektet

Vuçiç: BE të na japë fonde <br />ndryshe i realizojnë vetë projektet
TIRANE- Kryeministri serb Aleksandër Vuçiç kërkoi dje hapur nga Bashkimi Europian që të mbështesë projektet e paraqitura nga rajoni dhe t’i jap fund seminareve informuese. Në frymën e bashkëpunimit që përcolli kryeministri Rama në forumin ekonomik,  Vuçiç apeloi edhe për kryeministrat e vendeve të tjera të rajonit që t’i konkretizojnë dhe përfundojnë me ndihmën e njëri-tjetrit edhe ato projekte të cilat nuk do të mbështeten nga Bashkimi Europian.

“Na duhen disa para nga fondet europiane. Jemi tejngopur me seminare na duhen para për të ndërtuar rrugët hekurudhat tona. Mund të na shihni buzëqeshjet në të gjithë fytyrat tona, por ok a mund të na jepni disa para për projektet tona. Nëse nuk mund të na jepni të lutem na thoni do gjejmë paratë tona dhe do i investojmë por ne duhet ta dimë. Njerëzit tanë duan rezultate konkrete. Jemi vonë sa i takon mbështetjes ekonomike që mund të na japë BE.

Eshtë një thirrje me zë të lartë të gjithë ne, që BE ta analizojë ta vlerësojë si duhet dhe të na ndihmojë në mënyrën më të mire”, u shpreh i prerë Vuçiç. Kryeministri serb, theksoi se me homologun e tij shqiptar ka folur për disa projekte konkrete të cilat pritet t’i paraqiten Brukselit. “Duhet të kujdesemi për veten, kemi një treg prej 20 milionë banorë, të kontaktojmë me BE-në dhe të japim maksimumin për realizimin e tyre.

I kam propozuar Edit disa projekte të përbashkëta, t'ia propozojmë Brukselit dhe nëse nuk marrim mbështetje, ne si Serbi jemi gati t’i financojmë ato me lekët tona. Ne duhet të lidhim rajonin, të lidhim njerëzit, me tregje më të mira.

Bashkarisht mund të kalojmë në tregjet e tjera, ku mund të ofrojmë produktet tona”, theksoi kryeministri serb. Vizita që zhvilloi në Shqipëri dhe intensifikimi i marrëdhënieve me vendet e rajonit drejt BE-në, kanë shtyr kryeministrin Vuçiç të deklarojë se vendi i tij do të pranojë thirrjet e Shteteve të Bashkuara për të reduktuar vartësinë nga gazi rus, duke shtuar një gazsjellës të mbështetur nga Amerika, i cili do të sjellë gaz në Europë nga Azerbajxhani.

Ndërkohë që dje para largimit nga vizita dy ditore që zhvilloi në Shqipëri, Vuçiç ka dhënë edhe përshtypjet për mikpritjen shqiptare. “Më pëlqeu qëndrimi këtu dhe jam thellësisht mirënjohës për mikpritjen e shqiptarëve dhe të kryeministrit Rama dhe unë shpresoj se do të vij sërish në Tiranë. Ne kemi disa pikëpamje të ndryshme sa i takon Kosovës, por gjithsesi, ne patëm një diskutim shumë të mirë këtu në Tiranë dhe unë jam i gatshëm të kthehem këtu pa dyshim”, theksoi Vuçiç.


Ahmetaj: Rajoni interesant, të rrisim më shumë investimet
D’Alema : Të integrojmë Ballkanin në Evropë

Pjesë e diskutimeve të djeshme në Forumin Ekonomik të Vjenës ishte Ministri i Ekonomisë Arben Ahmetaj, pjësëmarrës në panel së bashku me figurave të njohura të politikës ndërkombëtare në fushën e ekonomisë, ka theksuar si mjaft të rëndësishme rritjen e investime në rajon. Duke iu referuar historisë kur rajoni konsiderohej problematik dhe BE me aleatët diskutonin zgjidhjen e tyre, ai theksoi se sot ndryshimi është shumë i madh pasi diskutojmë për vendimet si ta cojmë rajonin si pjesë integrale në Bashkimin Europian.

“Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Kosova dhe BeH janë tregje të vogla të veçuara dhe jo aq interesante, por si rajon në tërësi ka një numër të konsiderueshëm konsumatorësh. Marrëveshja e CEFTA-s e ka bërë këtë rajon "duty free". Prandaj, ky Ballkani është interesant”, u shreh Ahmetaj. Sipas ministrit është e nevojshme krijimi i një tregu rajonal të unifikuar i cili do të unifikojë edhe gjithë rajonin.

Ndërkohë duke u ndalur tek situata në rajon dhe në Shqipëri ish ministri i jashtëm italian Massimo D’Alema theksoi rëndësinë e Ballkanit në Europë, ai theksoi se Evropa pa Ballkanin nuk do të mund të ishte e plotë. Kriza ekonomike një cështje e rëndësishme te thyejmë hendeqet mes ballkanit dhe BE.Evropa pa Ballkanin nuk është e plotëNe duhet të përforcojmë lidhjet politike dhe Shqipëria është konsideruar më parë problem tani përbën një mundësi pë të gjithë Evropën.Sot kemi nevojë për udheheqës visionarë.

Ne mund të japim shtysë, të promovojmë lidhjet mes bizneseve njerëze shoqërisë civile është koha për të nxitur evropën për rëndësinë e Ballkanit.Atyre që duan bashkim europian me vlera, duhet të mendojnë Ballkanin brënda”u shpreh ish ministri i jashtëm Italian.
 
 
Mbështetja, BE: Vizita e Vuçiç në Tiranë ndihmon fqinjësin e mirë

Vizita e kryeministrit serb Aleksandër Vuçiç në Tiranë është përshëndetur nga Bashkimi Europian. Kjo vizitë dhe mesazhet e përcjella në të sipas zëdhënëses së KE-së Maja Koçijançiç,janë tregues i qartë i fqinjësisë së mirë dhe paqes që pritet të ketë në rajon. “Ne e mirëpresim vizitën e kryeministrit serb, Aleksandar Vuçiç, në Tiranë dhe e shohim atë, si kthim të vizitës së kryeministrit Rama në Beograd, në fund të vitit të kaluar.

Ne besojmë se, kjo përbën një hap pozitiv për forcimin e bashkëpunimit rajonal, sikundër dhe për marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, si dhe inkurajojmë të dy kryeministrat e Serbisë dhe Shqipërisë, që të vazhdojnë të tregojnë aftësi drejtuese dhe përgjegjësi, të nevojshme për vijimin e paqes, qëndrueshmërisë dhe prosperitetit në Ballkanin Perëndimor. Besojmë se, kjo është gjithashtu e rëndësishme në kuadër të progresit të mëtejshëm të tyre, përsa i takon përshpejtimit drejt rrugës europiane, në përputhje me angazhimet e marra për vlerat dhe standardet e BE-së”, u shpreh zëdhënësja e KE-së.

Deklarata pozitive lidhur me vizitën e kryeministrit serb në Tiranë, janë përcjellë edhe nga ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz.  Sipas ministrit të jashtëm austriak vizita e Vuçiç në Tiranë ishte historike  dhe mjaft e rëndësishme për përmirësimin e marrëdhënieve dypalëshe dhe bashkëpunimit rajonal. Kryeministri serb zhvilloi një vizitë zyrtare në datë 27 maj në Tiranë, ndërkohë që dje pas takimit të përbashkët me kryeministrat e Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Bosnjes ka udhëtuar drejt Serbisë.


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 29 Maj 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

‘Jam Pjerin Ndreu’, 3 mashtruesit i marrin 15 mijë euro biznesmenit Ylli Ujka! 2 në pranga, 1 në kërkim (EMRAT)

‘Jam Pjerin Ndreu’, 3 mashtruesit i marrin 15 mijë euro biznesmenit Ylli Ujka! 2 në pranga, 1 në kërkim (EMRAT)