Safet (Rustem) Bajri i njohur si anëtar i bandës së Shkodrës është liruar nga burgu i Lushnjës ku po vuante dënimin që i ishte caktuar nga gjykata belge.  Ai u arrestua në vitin 2018 në kuadër të operacionit “Oazi”. Gjykata belge e kishte dënuar me 9 vite burg. 3 vite burg Bajri i shleu në Bruksel dhe pjesën tjetër në qelitë e 302-shit në burgun e Reçit. 

Fotot ku Bajri shfaqet i lirë mes shokëve të tij, i ka postuar vetë ish konkurrenti i një emisionit televiziv, Atdhe Xharavina i cili duket se ka një miqësi me Bajrin. 

Ekstradimi i Bajrit drejt Belgjikës nuk u bë i mundur për shkak se dy vendet nuk kanë një marrëveshje për këtë çështje. Gjithsesi dy vendet njohin dënimet e dhëna në vendet reciproke dhe për këtë arsye Bajri e vuajti dënimin e tij në burgun e Lushnjës.

Në Shqipëri Bajri akuzohej si kreu i një grupi kriminal që kryente trafik droge, vrasje dhe trukim ndeshjesh. Ai u arrestua në shtator të vitit 2018 gjatë një operacioni masiv policor të FNSH-së dhe RENEA-s që çoi në arrestimin e 11 të fortëve, anëtarë të bandës kriminale "Bajri" në Shkodër, në aksionin e koduar "Oaz". 

Veprat penale që rëndonin ndaj të arrestuarve:

Vrasje me dashje e mbetur në tentativë”, në bashkëpunim, “Vrasje me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”, “Organizim i lotarive të palejuara”, “Pastrim i produkteve të veprës penale” të kryer në bashkëpunim, “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie të pasurisë”, kryer në bashkëpunim, “Përkrahje e autorit të krimit”, ‘Moskallëzim krimi”, “Prodhim e shitje e lëndëve narkotike”, vepra penale këto të kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.