Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, vlerësoi se në zgjedhjet e 23 prillit në veri të Kosovës nuk do të marrin pjesë më shumë se “100 serbë”.
Ai tha se “njerëzit nga Perëndimi” po bëjnë “cirk”, sepse mendojnë se mund t’i bëjnë me forcë serbët që ta duan Kosovën e pavarur, duke i detyruar ata të marrin pjesë në zgjedhje.
Sipas tij, askush nuk do të dalë “në kontejnerët e policisë” për të votuar.
Ai tha se “serbët do të mbijetojnë në Kosovë” dhe se “do të vazhdojnë ta duan të vetmin shtet që kanë, e që është Serbia”.
Të dielën e 23 prillit, zgjedhjet e parakohshme lokale mbahen në komunat: Mitrovicë e Veriut, Zubin Potok, Zveçan dhe Leposaviq - të gjitha të banuara me shumicë serbe.
Lista Serbe - partia më e madhe e serbëve të Kosovës - ka refuzuar të marrë pjesë në to dhe u ka bërë thirrje qytetarëve në veri që ta bojkotojnë procesin.
Lista Serbe ka thënë se ka marrë vendimin, pasi Kosova nuk i ka plotësuar dy kushtet e saj: formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe tërheqjen e njësisë speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore e vendit.
Në këtë qëndrim, ajo ka pasur edhe mbështetjen e Beogradit zyrtar.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka bërë thirrje qytetarëve me të drejtë vote, që të votojnë.
Në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë, ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka tërhequr vërejtjen se “të gjitha përpjekjet për të penguar mbajtjen e zgjedhjeve përmes kërcënimeve apo përdorimit të dhunës, do të përballen me dënimin e fuqishëm të komunitetit ndërkombëtar”.
Në garë për kryetarë të komunave në veri janë 10 kandidatë - prej tyre vetëm një e komunitetit serb. Alleksandar Jabllonoviq, nga Partia e Serbëve të Kosovës, është tërhequr nga gara vetëm tri ditë përpara zgjedhjeve, edhe pse kandidatura e tij është certifikuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Komunat në veri janë pa kryetarë qysh nga nëntori i vitit të kaluar, kur zyrtarët serbë të kësaj zone kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës, për shkak të një vendimi të Qeverisë në Prishtinë për t’i riregjistruar makinat me targa të paligjshme serbe.
Shumica e 19 qendrave të votimit që do të hapen në veri, do të jenë të vendosura në kontejnerë, pasi struktura të mbështetura nga Beogradi nuk kanë lejuar hapjen e shkollave./REL