Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka deklaruar sot se është i gatshëm për kompromis me Kosovën, por ka shtuar se si president nuk do ta nënshkruaj njohjen e pavarësisë së Kosovës.

Deklaratat e tij ai i ka dhënë gjatë mbledhjes së partisë së tij, që po mbahet gjatë ditës së sotme. 

 “Ne duam një kompromis, por unë nuk do të nënshkruaj njohjen e një Kosove të pavarur,” ka thënë Vuçiç.

Ai ka deklaruar më tej se do të marrë pjesë në negociatat e ndërmjetësuara nga Brukseli. Kjo deklaratë e Vuçiçit vjen para takimit me kryeministrin e Kosovës Albin Kurti që pritet të mbahet nga fundi i muajit qershor. Në këtë mbledhje Vuçiç përveç tjerash ka lexuar edhe letrën e dorëheqjes së një prej bashkëpunëtorëve më të ngushtë të tij, Nebojsha Stefanoviçit.