TIRANE - Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiç do të zhvillojë të mërkurën në 27 maj një vizitë zyrtare në Tiranë. A1 Report ka munudr të mësojë axhendën e takimeve të kryeminsitrit serb, e ndërsa Tirana zyrtare sipas burimeve do e bazojë atë në bazë të reciprocitetit. 

Aleksandër Vuçiç do të mbërrijë rreth mesditës në Tiranë, ndërsa do të pritet sipas protokollit. Më pas Vuçiç do të mbërrijë në Pallatin e Brigadave ku do të zhvillohet ceremonia zyrtare e pritjes.

Të dy kryeministrat, Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiç do të zhvillojnë një takim kokë më kokë, e më pas do të ketë takim mes delegacioneve të dy vendeve. Në protokoll parashikohet që pas takimit të dy delegacioneve, dy kryeministrat do të mbajnë një konference për shtyp. Parashikohet që edhe dreka të zhvillohet po në Pallatin e Brigadave.

Gjithashtu sipas axhendës paraprake që A1 Report ka mundur të sigurojë se Vuçiç do të ketë takime me Presidentin e Republikës, Bujar Nishani, Kryetarin e Kuvendit Ilir Meta si dhe me kreun e Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha. 

Kryeministri serb do t’i bashkohet në ditën e tij të dytë të qëndrimit në Tiranë sesionit të parë të Forumit Ekonomik të Vjenës që zhvillon punimet në Tiranë në datën 28 maj.

Në Forumin Ekonomik të Vjenës planifikohet të marrin pjesë kryeministrat e disa vendeve të Adriatikut dhe Detit të Zi. Deri tani kanë konfirmuar pjesëmarrjen kryeministrat e Moldavisë, Kosovës, Bosnje-Hercegovinës, e Serbisë, ndërsa pritet të konfirmojnë pjesëmarrjen edhe kryeministrat e Kroacisë dhe Maqedonisë.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)