Mustafa në një postim në rrjetin social Facebook ka shkruar se nëse nuk bëhet demarkacioni Kosova do të humb shansin për të lëvizur pa viza.
Lidhur me këtë, zëdhënësi i Vetëvendosjes, Frashër Krasniqi ka thënë për Telegrafin se Isa Mustafës nuk i bën përshtypje aspak nëse vendi ynë humbë territor ngase mendjen e ka tek pasuria e djemve të tij e jo tek interesi i Republikës sonë.
“Për Isa Mustafën Kosova nuk humbë tokë nga demarkacioni, ngase ai e sheh Kosovën me syzet e Malit të Zi. Edhe më herët gjatë karrierës së tij politike ai e ka parë Kosovën si pjesë e Jugosllavisë dhe lëvizjet për çlirimin e vendit i janë dukur gabim dhe të papranueshme. Atij nuk i bën përshtypje aspak nëse vendi ynë humbë territor ngase mendjen e ka tek pasuria e djemve të tij e jo tek interesi i Republikës sonë. Humbjen e territorit përmes demarkacionit tashmë e kanë dëshmuar shumica absolute e ekspertëve më të mirë vendorë (duke përfshirë edhe deputetë të LDK-së) dhe vetëm një kryeministër i shitur dhe i papërgjegjshëm mund të injorojë faktet bindëse që janë dhënë deri tash”, ka thënë Krasniqi.
Ai ka shtuar se është e çuditshme se si për Isa Mustafën qenka prioritet miratimi i demarkacionit ndërsa asnjë veprim nuk e ndërmori në luftimin e krimit dhe korrupsionit që gjithashtu është kërkesë e BE-së për liberalizimin e vizave.
“Normalisht që luftimi i krimit dhe korrupsionit nënkupton pamundësimin e pasurimit të tij, djemve të tij dhe pushtetarëve të tjerë, prandaj nuk i konvenon një gjë e tillë. Kurse demarkacioni nënkupton humbjen e territorit të Republikës së Kosovës, e një gjë e tillë nuk është problem për një politikan si Isa Mustafa. Megjithatë, sondazhet e fundit kanë dëshmuar që shumica dërmuese e qytetarëve nuk janë të gatshëm të japin territor për liberalizim të vizave. Ky vullnet duhet të respektohet dhe ne do të bëjmë çmos që ta mbrojmë këtë vullnet gjithëpopullor”, u shpreh Krasniqi.
Redaksia Online
(xh.k/shqiptarja.com)
![](https://www.shqiptarja.com/template/img/sh_logo1.png)