Në mars të vitit të kaluar, ajo u vendos në qendër të kritikave dhe deklaratat e saj kundër nënshtrimit të grave në Arabinë Saudite shkaktuan jo pak tensione mes Stokholmit dhe Riadit, duke kërcënuar edhe tregtinë e armëve prej 900 milion dollarësh në vit mes dy vendeve. E megjithatë Margot Wallstrom vazhdon të jetë e palëkundur në politikën e saj të jashtme feministe, e para e këtij lloji në të gjithë botën. E rrethuar nga një grup gazetarësh në zyrën e saj, ministrja e jashtme suedeze na shpjegon se nuk është aspak e trembur kur vjen puna për të ngritur zërin për të drejtat e njeriut.

​“Mendoj që zëri ynë për të drejtat e njeriut dhe demokraci është një zë I fortë dhe do të vazhdojmë ta bëjmë këtë. Nuk duhet të lejojmë që të trembemi por do të vazhdojmë të themi atë që është e drejtë për ne dhe për mbarë botën. Unë mendoj se duhet të kemi një lloj respekti për dialogun me atë shprehjen-le të biem dakord që nuk jemi dakord por është e qartë se ku ne qëndrojmë dhe për cfarë luftojmë”-thotë Wallstrom.