Washington, Administrata Trump paditet nga gazetarët në gjykatë. Akuza: Përpjekje për të shuar zërat kritikë

Washington, Administrata Trump paditet nga gazetarët në gjykatë. Akuza: Përpjekje për të shuar zërat kritikë

Pezullimi këtë muaj nga Shtëpia e Bardhë i akreditimit të një gazetari, po kritikohet nga mbrojtësit e lirisë së shtypit. Ata thonë se ky është një shembull i përpjekjeve të administratës së Presidentit Donald Trump për të shuar e zërat kritikë.

Sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Stephanie Grisham, pezulloi për 30 ditë kredencialet e korrespondentit të revistës Playboy, njëkohësisht edhe analist i kanalit CNN, Brian Karem. Masa u mor pasi në përfundim të një takimi për mediat sociale,  Karem u përfshi në një debat me tone të larta me ish-këshilltarin e Presidentit Trump, Sebastian Gorka, i cili drejton një emision radiofonik.

Ky është rasti i dytë që Shtëpia e Bardhë tërheq akreditimin e një korrespondenti, ndërkohë që Presidenti Trump vazhdon të denigrojë organet mediatike duke i quajtur ato “fake news” dhe “armiq të popullit”, duke inkurajuar kështu edhe mosbesimin tek mediat.

Nëntorin e kaluar, Shtëpia e Bardhë ndërmori hapin e pazakontë për epokën moderne, të heqjes së kredencialeve për korrespondentin e kanalit CNN, Jim Acosta, vetëm pak orë pasi ai pati një shkëmbim sfidues me Presidentin Trump gjatë një konference për shtyp në Shtëpinë e Bardhë. Pasi kanali CNN paditi në gjykatë administratën Trump, një gjykatës federal urdhëroi rikthimin e kredencialeve të shtypit për zotin Acosta, duke vendosur se pezullimi kishte shkelur të drejtën e tij për një proces të rregullt.

Tashmë edhe Karem ka paditur Presidentin Trump dhe zëdhënësen Grisham, për shkeljen e të drejtave të tij kushtetuese, dhe i kërkoi gjykatës federale në Uashington që t’i rikthejë kredencialet e tij të akreditimit.

Nora Benavidez, drejtore për programet për shprehjen e lirë në SHBA, në organizatën PEN America, gjithashtu po e padit administratën Trump dhe paraqiti këtë javë një raport në mbrojtje të padisë së Karem. Ajo thotë se pezullimi i kredencialeve është pasqyrë e trajtimit nga Shtëpia e Bardhë të zërave disidentë.

Shtëpia e Bardhë refuzon akuza.

“Realiteti është se trupa e gazetarëve e Shtëpisë së Bardhë është e përbërë nga gazetarë që drejtojnë pyetje agresive Presidentit dhe zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë; një pjesë e mirë e tyre janë jashtëzakonisht kritikë ndaj Presidentit dhe politikave të tij”, shkruhet në dokumentin e juristëve të Departamentit të Drejtësisë, në përgjigje të padisë së zotit Karem, e cila u paraqit në datën 20 gusht.

58-vjeçari Brian Karem është një gazetar me eksperiencë i medias së shkruar dhe asaj televizive, një aktivist i vetëdeklaruar i Amendamentit të Parë, i cili ka bërë edhe burg për shkak se refuzoi të zbulonte burimin e të dhënave konfidenciale. Gjatë dy viteve që ka punuar si korrespondent i Shtëpisë së Bardhë për revistën Playboy, ai është shndërruar në një figurë të debatueshme në trupën e gazetarëve, i lavdëruar nga mbështetësit për drejtimin e pyetjeve hulumtuese Presidentit Trump dhe zyrtarëve të administratës, ashtu siç edhe kritikohet nga të tjerë për stilin e tij të tepruar agresiv.

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë