Xhaçka pret homologun kosovar:
Po punojmë për planin e 2018

Xhaçka pret homologun kosovar:<br />Po punojmë për planin e 2018
Ministrja e Mbrojtjes, znj. Olta Xhaçka, priti sot në një vizitë zyrtare, ministrin e ri të sapozgjedhur të Forcës për Sigurinë e Kosovës, Rrustem Berisha, dhe delegacionin që e shoqëronte atë.

Në takimin dypalësh, Ministrja Xhaçka e uroi homologun e saj për detyrën e re dhe shprehu sigurinë se ministri Berisha do të jetë një avokat i denjë i aspiratave të Kosovës për integrimin euroatlantik.

“Integrimi i Kosovës është një destinacion i natyrshëm, sikundër për të gjitha vendet e Ballkanit. Garantoj gatishmërinë tonë për të intensifikuar bashkëpunimin mes dy vendeve e mbi të gjitha për të ndarë me Qeverinë e Kosovës, eksperiencën tone lidhur me anëtarësimin në NATO”, tha Ministrja Xhaçka gjatë takimit mes dy delegacioneve.

Ministri i Forcës për Sigurinë e Kosovës nënvizoi se për palën kosovare, Shqipëria është aleati më i fuqishëm në rrugëtimin drejt anëtarësimit në Organizatën e Atlantikut të Veriut dhe jo vetëm.

“Prioriteti aktual i FSK është të përshpejtojë transformimin në Forca të Armatosura. Dhe më lejoni të theksoj edhe këtu në Tiranë se formimi i FA nuk është në kundërshtim me pakicat serbe, por përkundrazi, është në dobi të të gjithë qytetarëve të Kosovës”, deklaroi Ministri Berisha.

Pas nënshkrimit në librin e nderit dhe takimit mes dy delegacioneve, dy homologët Xhaçka dhe Berisha dolën në një deklaratë për shtyp ku kryefjala ishte vijimi i bashkëpunimit dhe mbështetjes si në rrafshin politik dhe atë teknik.

“Profesionalizmi dhe devotshmëria e FSK-së në përmbushje të detyrimeve që rruga e integrimit në NATO imponon, besojmë se do të shpërblehet shumë shpejt.

E sigurova Ministrin Berisha se bashkëpunimi ynë do të vijojë me ritëm intensiv si përherë. Ka një implementim pothuaj tërësor, sipas referencës kohore, të Planit të Bashkëpunimit për vitin 2017, ndërkohë që stafet po punojnë për planin e vitit që vjen”, tha ndër të tjera Ministja Xhaçka.

Pas takimit në Ministrinë e Mbrojtjes, delegacioni kosovar, i shoqëruar nga zëvendësministri Petro Koçi mori pjesë në një mësim tregues mbi taktikat stërvitore për pjesëmarrjen në misione, në batalionin e Forcave Speciale në Zall-Herr.

[gallery]24041[/gallery]
Redaksia Online
D.Ç./Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Himara, i kujt është faji që 6 mijë votues ishin me karta të skaduara?



×

Lajmi i fundit

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor

Akuzat e PD për ilaçe të skaduara, QSUT: Të pavërteta! Po dëmtohet qëllimisht puna e ekipit mjekësor