Ish ministrja e Mirëqenies Sociale Olta Xhaçka shpreh indinjatën e saj në lidhje me numrin e pakët të grave kandidate për zgjedhjet e 25 qershorit në listat e Partisë Demokratike.
Ajo e cilëson PD parti maskiliste që ka vendosur të shpërfillë ligjin për kuotat ligjore të grave, të cilët sipas saj zëvendësohen nga “të fortët”.
“Për fat të keq, emrat e grave dhe vajzave në listat e PD-së numërohen me gishtat e duarve. Madje në krahasim me 2013, gratë e vendosura në atë pjesë të listës që kanë shanse reale për t’u zgjedhur janë pakësuar. Besnike ndaj imazhit të saj maskilist, edhe një herë më shumë, Partia Demokratike ka vendosur të shpërfillë ligjin për kuotat ligjore.
Përsa kohë kjo parti nuk beson dot gratë e saj dhe mbetet ekskluzivisht në dorë të burrave, si mund të presim që PD të kujdeset për gratë, nënat apo bijat tona? Si mund të besojmë se “të fortët” që kanë mbushur listat do të luftojnë për ne, për barazinë gjinore, për një Shqipëri ku një vajzë a grua të mos jetë e diskriminuar në shanse dhe mundësi që në lindje?
Për këtë arsye, gratë dhe vajzat e Shqipërisë duhet të bashkohen dhe të luftojnë së bashku me ne për drejtësinë, për shtetin ligjor, për më shumë mundësi për ne dhe për fëmijët tanë”, ka shkruar Xhaçka në një status në profilin e saj në Facebook.
Redaksia Online
Al.N/Shqiptarja.com