Në takimin e ministres Xhaçka me homologun e saj turk, veç marrëdhënieve shumë të mira mes dy vendeve, u diskutua edhe për bashkëpunim dypalësh në industrinë ushtarake dhe të mbrojtjes.
Ministrja Xhaçka e falënderoi homologun e saj turk për ndihmën dhe mbështetjen e Turqisë për Forcat e Armatosura shqiptare, kryesisht sa i përket modernizimit, arsimimit ushtarak, kujdesit shëndetësor, por edhe stërvitjeve.
Pas takimit me ministrin Canikli, zonja Xhaçka vlerësoi klimën e mirë të bisedimeve me homologun e saj turk, i cili ofroi gatishmërinë e plotë të vendit të tij për mbështetjen e mëtejshme të Forcave tona të Armatosura. “Diskutuam lidhur me bashkëpunimin aktual ushtarak për trajnim, arsimimin e përbashkët. U dakordësuam për mundësitë e shumta, të cilat do eksplorojmë dhe mora mbështetjen maksimale nga kolegu im Canikli për plotësimin e çdo kërkese nga Shqipëria. Edhe për modernizimin e FA gjeta mbështetjen maksimale për çdo projekt, i cili do të gjykohet i nevojshëm për t’u zhvilluar.
Me homologun turk pata veçse dakordësi për të zhvilluar kapacitet ushtarake. Trajtimi mjekësor i personelit ushtarak në Turqi do të vazhdojë dhe do të shtohet për të plotësuar të gjitha nevojat shëndetësore mjekësore, të cilat nuk i përmbushim dot në Tiranë.”- u shpreh ministrja Xhaçka, e cila takoi edhe studentët shqiptarë që studiojnë në akademitë ushtarake turke. Zonja Xhaçka u uroi suksese studentëve shqiptarë dhe u shprehu atyre rolin dhe rëndësinë e tyre brenda Forcave të Armatosura, sapo ata të përfundojnë studimet.
"U konfirmova studentëve tanë që shkollohen në akademitë ushtarake turke që, do të vazhdojnë të jenë ndër shembujt e mirë të disiplinës dhe profesionalizmit dhe presim prej tyre që të vijnë dhe të bëhen pjesë solide e piramidës sonë ushtarake.”- tha Xhaçka.
Në vijim të vizitës së saj, ministrja Xhaçka vizitoi disa fabrika të industrisë ushtarake dhe u njoh nga afër me mjetet, pajisjet dhe armatimet që prodhohen aty. Gjithashtu ministrja e Mbrojtjes e Shqipërisë u prit në takime të veçanta nga ministri i Brendshëm i Turqisë z. Süleyman Soylu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura turke, gjeneral me katër yje Hulusi Akar.
Në takimet me zyrtarët e lartë turq, ministrja Xhaçka diskutoi për çështjet e interesit të përbashkët në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Pjesë e vizitës zyrtare të ministres Xhaçka, ishin edhe homazhet dhe vendosja e një kurore me lule në Anıtkabir, Mauzoleun e Mustafa Kemal Atatürk.

d.c./shqiptarja.com

VIDEO








