Xhafa: Opozita s’pranoi të miratojë
draftin në parim, kërkuan sërish kohë

Xhafa: Opozita s’pranoi të miratojë<br />draftin në parim, kërkuan sërish kohë
Kryetari i komisionit të posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi, Fatmir Xhafaj u shpreh se opozita nuk pranoi të votojë në parim projektin e ekspertëve.
 
Gjatë një deklarate për mediat, Xhafaj tha se përfaqësuesit e PD kërkuan më tepër kohë që të njihen me draftin.
 
“Pati një propozim nga ana e kolegeve të mazhorancës për ta votuar sot në parim projektin kushtetues, por opozita kërkoi më shumë kohë dhe ramë dakord ta mirëkuptojmë edhe këtë herë opozitën”, u shpreh Xhafaj.
 
Ai theksoi se puna do të rinisë në komision të hënën.  
 
“Ditën e hënë, në orën 10 të mëngjesit do të mblidhet komisioni i posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi për të shqyrtuar projektin e për të bërë pyetjet, lidhur me shqyrtimin e projektit në parim. Është momenti për të bërë punë konkrete. Java që vjen do të jetë javë deçizive për ta shtyrë procesin përpara. Gjatë javës që vjen unë do të mbledh rregullisht komisionin për të miratuar projektin nen për nen e për t’ia përcjellë atë Kuvendit. Puna do të vazhdojë për ta shoqëruar atë me projektligjet e rëndësishme”, tha Xhafaj.
 
Megjithatë, Xhafaj tha se opozita nuk ka alternativë tjetër veçse për të votuar draftin.
 
Xhafaj tha se “tani është koha për të demonstruar vullnet e gatishmëri për të votuar projektin”.  

Prononcim për mediat e Kryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, z. Fatmir Xhafaj

Z. Xhafaj, një koment lidhur me mbledhjen e ditës së sotme?
Së pari duhet t’ju them që sot është një ditë e mirë. Kemi bërë një hap të rëndësishëm përpara. Kemi sot draftin kushtetues, projektin kushtetues, i ndërtuar pas një pune të gjatë më shumë se një vjeçare nga ana e ekspertëve vendas dhe ndërkombëtarë, i certifikuar, jo njëherë, por dy herë nga Komisioni i Venecias dhe i përmbyllur me opinionin final, të këtij viti dhe tashmë, kemi një projekt të rishikuar mbi bazën e Opinionit Final të Komisionit të Venecias dhe debatit të zhvilluar në komision nga ana e ekspertëve ndërkombëtarë.
Sot kemi një projekt kushtetues i cili nuk mban thjesht vulën e ekspertëve shqiptarë, nuk mban thjesht vulën e ekspertizës së Venecias, por mban dhe mbështetjen euro – amerikan. Mban sot mbështetjen e ekspertizës më të mirë që ne kemi këtu në Shqipëri të EURALIUS, të OPDAT, mban mbështetjen e Uashingtonit, mban mbështetjen e Brukselit. Tashti koha nuk është më për llafe. Koha e llafeve, e sebepeve, të cilat kemi kohë që i kemi dëgjuar gjatë gjithë kësaj periudhe nga më të ndryshmet, është koha për të demonstruar vullnet dhe për të demonstruar gatishmëri për ta votuar projektin. 

Z. Xhafaj pse nuk u miratua në parim drafti siç ishte propozuar nga mazhoranca më herët?
Po. Dua të jem i hapur, dua të jem i sinqertë me ju. Pati një propozim nga ana e kolegëve të mazhorancës për ta votuar sot në parim projektin kushtetues, por opozita kërkoi më shumë kohë dhe ramë dakord ta mirëkuptojmë edhe këtë herë opozitën dhe ditën e hënë, në orën 09:00-10:00 , do të mblidhet komisioni i posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, për të shqyrtuar projektin, për të bërë pyetje, për të diskutuar dhe për ta votuar projektin një parim. Më duhet të përsëris edhe njëherë që tashmë është momenti për të bërë punë konkrete. Dhe java që vjen do të jetë javë deçizive për t’i ndarë përfundimisht gjërat dhe për ta shtyrë procesin përpara. Që do të thotë, që gjatë gjithë javës që vjen, unë do të mbledh rregullisht komisionin e posaçëm parlamentar për të diskutuar projektin nen për nen, për ta votuar atë në tërësi, për t’ia kaluar pastaj Kuvendit për të ndjekur procedurën e debatit dhe votimit parlamentar dhe për ta shoqëruar projektin edhe me një sërë projektligjesh të rëndësishme që jetësojnë, që e konkretizojnë dhe që e zbatojnë këtë projekt të rëndësishëm kushtetues. Janë disa ligje që do të duhet të shqyrtohen shumë shpejt në komision. Kohë nuk ka. Koha është në limit. Është koha për të punuar dhe java që vjen do të jetë java e punës dhe e vullnetit konkret. Është rasti, të falënderoj dy ambasadorët që ishin të pranishëm, për impenjimin, angazhimin dhe mbështetjen që i kanë dhënë procesit. Por në mënyrë të veçantë dëshiroj të falënderoj dy drejtuesit e misioneve ndërkombëtare EURALIS-it dhe OPDAT-it të cilët kanë punuar me një përkushtim të veçantë gjatë gjithë kësaj periudhe. Në fund të fundit edhe na ndihmuan që të mos vuajmë më me lloj-lloj sebepesh, me lloj-lloj përkthimesh alla shqiptare, por na thanë shkurt: “Ky është versioni anglisht dhe shqip për ta votuar”. Tani nuk ka më kurrkush që të thotë se unë e kuptova ndryshe. Është koha thjeshtë dhe vetëm për të votuar.

Për të arritur deri këtu z. Halimi duhet sikur i jepte më shumë meritë opozitës që këmbënguli që të bëheshin një sërë ndryshimesh, në mënyrë të veçantë asaj pjese të draftit që parashikon mekanizmat se si do të luftohet korrupsioni në vend. Sipas tij nuk është më ai drafti i shtatorit apo i janarit që ai i quante drafti i Edi Ramës dhe se tani ka ndryshime thelbësore. Cilat janë këto ndryshime që kanë kënaqur opozitën sot?
Unë jam i lumtur që z. Halimi të jetë i kënaqur. Kjo do të jetë një gjë shumë e mirë sepse me thënë të drejtën kanë kaq kohë që marrin mungesa, marrin raport që të vijnë të bëjnë detyrat. Por për mua është shumë e rëndësishme që opozita të kuptojë që nuk ka alternativë tjetër veç se për ta votuar projektin. Projekti është aty. Projekti fillestar, projekti që janë bërë mbi bazën e ndryshimeve që ka paraqitur Komisioni i Venecias, Opinioni i Komisionit e Venecias dhe ndryshimet që janë bërë mbi bazën e debatit të parlament. Unë besoj se për fat të mirë, duke ditur që ne zihemi për këto gjëra, nuk kemi çfarë të bëjmë, ky është realiteti politik në Shqipëri. Shumë mjeran për hir të së vërtetës që zihemi për nene dhe për paragrafin. Duket se e kanë kuptuar edhe amerikanët dhe evropianët, dhe çfarë kanë bërë? I kanë bërë me ngjyrë të kuqe dhe me ngjyrë blu. Kështu që ju keni të gjithë mundësinë t’i merrni dhe t’i shikoni se cilat janë ndryshimet konkretisht. Janë bërë jo vetëm përkthimi i saktë, por janë bërë edhe sipas mendjen politike së ditës në Shqipëri.

Nuk ka tërheqje të mazhorancës?
Mazhoraca nuk ka pasur asnjëherë tërheqje. Ka pasur vetëm shikim para dhe vendosmëri për të ecur përpara. Kjo është një gjë e qartë që nga dita e parë në nëntor të 2014-s kur ka kaluar vendimi në Kuvendin e Shqipërisë për ngritjen e këtij komisioni të posaçëm parlamentar për Reformën në Drejtësi, mazhoranca ka parë vetëm para me një objektiv, me një qëllim, t’i japi vendit, t’i japi qytetarëve reformën e shumë pritur për të pasur drejtësinë e shumë pritur për qytetarët shqiptar. Kjo duhet të jetë padyshim, dhe besoj dhe shpresoj, që shumë shpejt do të jetë një lajm i mirë për shqiptarët që do të hedhim themelet për të ringritur dhe për ta rithemeluar këtë sistem drejtësie në interes të shqiptarëve, në interes të ardhmërisë së vendit.

Qëndrimin zyrtar opozita do ta marrë vetëm të hënë pasi ta shohë në themel draftin që u njohën sot, sidomos për ngritjen e institucioneve të reja tha z. Halimi...
Unë nuk e di se çfarë do të bëjë opozita ditën e hënë. Nuk besoj se opozita e mori gjithë këtë kohë deri ditën e hënë, që nuk e votoi sot në parim, por e çoi për ditën e hënë se kanë ndonjë plan tjetër veç vullnetit për ta miratuar në parim dhe për të vazhduar pastaj nen për nen dhe në tërësi. Nëse opozita do të bënte këtë gjë kjo do të ishte vetëvrasje politike dhe unë nuk besoj që opozita do ta bënte një hap të tillë sepse kjo do të ishte një kosto jo thjeshtë për opozitën, por është një kosto për vendin. Dhe këtu duhet të dalim tej të qënurit anëtari i X apo Y partie, por duhet të ngrihemi dhe të gjykojmë mbi fatet dhe interesat e mëdha që kanë qytetarët, që ka vendi. Jo thjeshtë për procesin e integrimit, po se po, por mbi të gjitha për të pasur sa më pak nga ata gjyqtar që po shohim përditë të korruptuar dhe të paaftë.

Gjithë ky mobilizim për ta miratuar sa më shpejt reformën brenda muajit qershor është një arsye më shumë për të shmangur turpin e komisionit, citoj këtu ambasadorin Lu?
Duhet ta pyesni ambasadorin për kë e kishte të adresuar këtë shprehje. Unë drejtoj një Komision i cili ka bërë një punë jashtëzakonisht të madhe në një vit e gjysmë ka bërë një proces i cili nuk ka të ngjashëm në Shqipëri për këto 25 vjet dhe jam krenar për gjithë këtë punë mbi një vit që është bërë nën drejtimin e këtij komisioni dhe që sot ka dhënë një produkt i cili meriton mbështetjen më të mirë të mundshme.

Redaksia Online
Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër