Ai shpreh keqardhje për qëndrimin e opozitës, duke e quajtur absurd, duke shtuar se super aksioni i policisë u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultat spektakolar, falë përkushtimit dhe sakrificës.
Ministri Xhafaj i përcjell një mesazh dhe Prokurorisë së Përgjithshme, teksa shprehet se Organi i Akuzës duhet të jetë në lartësinë e duhur për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje.
"Një super operacion i Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor u zhvillua në diskrecion të plotë dhe me rezultatin e pritshëm spektakolar, falë një punë me përkushtim dhe sakrificë njerëzore. Falenderim dhe mirënjohje të thellë për punonjësit e policisë te përfshirë në këtë operacion, si dhe për përfaqësuesit e agjencive të tjera qeveritare ligj zbatuese që u bënë pjesë e tij. Inkurajim për të vazhduar në këtë rrugë.
Roli udhëheqës dhe ekzekutues i Policisë së Shtetit në kuadër të këtij operacioni është KONFIRMIM i aftësisë zbuluese dhe investiguese në rritje të Policisë së Shtetit dhe vullnetit të qeverisë shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar. Keqardhje e madhe jo vetëm si Ministër, por edhe si qytetar i këtij vendi, për reagimet komplet absurde e kundër produktive, si dhe çdo për trillim të papërgjegjshëm të atyre që kurrë nuk thanë një fjalë të mirë për policinë.
Kam shpresë se Prokuroria, e cila tani ka kompetencën e hetimit do të jetë në lartësinë e detyrës për të çuar përpara drejtësisë këdo të përfshirë në këtë veprimtari kriminale edhe si mundësi për të larguar çdo spekulim politik dhe mediatik mbi këtë ngjarje", thekson Xhafaj.
Gjithashtu, ministri i është përgjigjur dhe kreut demokrat, Lulzim Basha, i cili në një reagim në 'Facebook' shkruante se ka nisur sherri mes klaneve të drogës në qeveri, ku sipas tij, Rama dhe Xhafaj ishin me dy qëndrime të ndryshme sa i takon bashkëpunimit me të huajt për aksionin e kokainën. Xhafaj sqaron se identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të është bërë nga Policia Shqiptare dhe Hetimi Doganor, ndërsa të huajt janë njoftuar më pas.
"Sa për spekulimin për “përplasjen” mes deklaratës time dhe asaj të KM për bashkëpunimin me partnerët, sqaroj se: identifikimi i kokainës dhe personave të lidhur me të, ishte falë Policisë së Shtetit dhe Hetimit Doganor. Pas sekuestrimit të drogës sot, Policia i ka kërkuar agjencive të huaja informacion dhe bashkëpunim për hetime të mëtejshme. Ky është bashkëpunimi me ta. Faleminderit qytetarëve dhe partnerëve për inkurajimin dhe mbështetjen që po i japin Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit për çfarë ne jemi duke bërë. Mirënjohje për gjithçka!", shton ministri.
d.c./shqiptarja.com











