Gjatë një deklarate për shtyp, Xhafaj nuk kurseu as kritikat në adresë të Prokurorisë, e cila, siç tha ai, nuk ka hetuar rastet e incidenteve të ditëve të fundit, ndërsa shtoi se policia ka bërë punën duke i referuar çdo rast dhune.
"Policia nuk të bën forcë e parë, forcë e parë të bën vota. Dënoj çdo akt dhune në procesin zgjedhor dhe ndëshkim ligjor.
Policia ka rolin e saj në parandalimin e ngjarjeve, por të mos harrojmë se një rol të rëndësishëm ka prokuroria e shtetit. Flitet për disa ngjarje të cilat i janë referuar Prokurorisë, por askush nuk kërkon hesap ndaj prokurorëve të cilët kanë përgjegjësinë për zbardhjen e shpejtë të kësaj ngjarje.
Prokuroria të veprojë shpejt për të zbardhur ngjarjet që cenojnë atmosferën e mirë në këtë proces zgjedhor. Prokurorët të mos mbyllin shpejt e shpejt dosjet e fundit, sapo hyri në fuqi Kodi i Procedurës Penale, por të zbardhin këto ngjarje në mënyrë që të dihet e vërteta dhe të qetësohet klima elektorale", u shpreh Xhafaj.
"Policia të ndëshkojë shitblerjen e votave"
Ndryshe nga akuzat e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta dhe përfaqësuesve të LSI të cilët e quajnë Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit "Haki Droga", ish-ministri i Brendshëm shprehur vlerësime për punën e tij.
Xhafaj kërkoi ndëshkim nga policia të rasteve të shitblerjes së votave.
"Kam ndjekur nëpërmjet medias një mesazh që ai u ka përcjellë drejtorëve të policisë në rrethe, ishte një mesazh shumë profesional. Drejtuesit e Policisë së Shtetit duhet të dënojnë ashpër çdo lloj përfshirje të policisë në proceset elektorale", tha Xhafaj.
"Policia të godasë fort rastet e shitblerjes së votave", u shpreh ish-ministri i Brendshëm.
Vettingu, Xhafaj: Zbatimi i reformës tashmë ka nisur
Fatmir Xhafaj, ish-kryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën në Drejtësi, ka deklaruar gjatë konferencës për shtyp nga Kryesia e Kuvendit se procesi i zbatimi të kësaj reformë tashmë ka nisur.
Xhafaj tha Reforma në drejtësi ishte një nga premtimet e PS-së, i cili u realizua brenda mandatit të parë qeverisës.
“Reforma në drejtësi është një premtim i bërë nga ne në fillim të mandatit tonë që është duke u mbyllur. Është një nga premtimet dhe angazhimet e mbajtura.
Ne jemi të vendosur për të vijuar në zbatimin e kësaj reforme. Shpresoj që 25 qershori të jetë dita që do hapë rrugën e shtetit të së drejtës, shtetit në shërbim të qytetarëve”, tha Xhafaj.
